Një burrë me pasaportë boshnjake, i identifikuar si Vladimir Sologub (58) nga Bosnja dhe Hercegovina, u arrestua në Shkup me dyshimin se i ka zhvatur Robert Hotit 300,000 euro, pasi e ka kërcënuar me likuidim nëse nuk e paguan shumën e kërkuar, ka mësuar Plusinfo.
Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme, i dëmtuari Robert Hot ka raportuar se një person i panjohur me kërcënime serioze për jetën e tij po kërkonte një shumë të madhe parash, transmeton Lideri.mk. Policia ka vepruar menjëherë dhe, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike – Shkup, ka nisur një operacion sekret për të parandaluar zhvatjen.
Më 8 tetor 2025, në kuadër të aktiviteteve policore, palës së dëmtuar iu sekuestruan përkohësisht 20,000 euro në vlera të ndryshme, të cilat u përpunuan në mënyrë tekniko-ligjore për identifikim. Pas përcaktimit të autenticitetit të tyre, paratë iu kthyen Hotit, në mënyrë që ai t’ia dorëzonte autorit të krimit, i cili duhej t’i merrte të nesërmen në zyrën e tij.
Më 9 tetor, gjatë dorëzimit të parave, oficerët e policisë nga Njësia e Krimeve të Dhunshme të SVR Shkupit kryen një pritë dhe arrestuan të dyshuarin Sologub. 20,000 eurot e përpunuara dhe një pasaportë e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës iu gjetën atij.
Personi është ndaluar për procedura të mëtejshme, ndërsa policia dhe prokuroria vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.

