Akademikja Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Kosovës.

Deri tash ajo ka qenë kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).

Në biografinë e publikuar në faqen e ASHAK-ut thuhet se Shiroka-Pula u lind më 1953 në Prishtinë. Shkollën fillore (1968) dhe të mesmen (1972) i kreu në Prishtinë. Diplomoi me sukses në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në vitin 1976. Studimet pasuniversitare, në fushën e Teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik, i vijoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku u diplomua në vitin 1984. Sipas biografisë Shiroka-Pula u doktorua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1977), duke mbrojtur tezën e doktoratës me titull ”Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Pas diplomimit, ajo punoi për një kohë të shkurtër në Bankën Popullore të Kosovës. Në vitin 1978, nisi karrierën e gjatë akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës si asistente për lëndën “Kërkimet Operacionale”. Kaloi nëpër të gjitha rrethet e avancimit akademik, duke u zgjedhur Profesore Ordinare në vitin 2004. Gjatë karrierës ka shërbyer si Shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të UP-së dhe anëtare e Bordit Drejtues të UP-së. Ka kryer studime dhe trajnime post-doktorale jashtë vendit, duke përfshirë Universitetin e Lincit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në SHBA.

" "

” ”
Shiroka-Pula ka mbajtur edhe pozita të larta publike. Ka shërbyer si Ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës gjatë viteve 2008–2011, si dhe ishte deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së gjatë viteve 2011–2014.

Presidentja Justina Shiroka Pula ka edhe lidhje të fuqishme me shqiptarët e Maqedonisë, shkruan portali Lideri.mk.

Këto lidhje janë profesionale, me shumë profesorë universitarë nga universitetet në Maqedoni, por edhe familjare, sepse nusja e djalit të presidentes Shiroka Pula është nga Prespa.

Këtyre lidhjeve të fuqishme të presidentes mund t’i shtohen edhe shumë lidhje miqësore, si me kolegë nga bransha, poashtu edhe me miq jashtë sferës së ekonomisë, si sferë në të cilën Shiroka Pula e ka zhvilluar dhe ndërtuar karrierën profesionale./Lideri

sqShqip