Punimet në qarkoren Shipkovicë-Prizren do të vazhdojnë, pavarësisht kushteve të motit. Kreu i Tetovës Bilall Kasami tha se synohet që deri në fund të vitit, ky projekt të përfundojë, që më pastaj të bëhet edhe projekti ideor dhe kostoja e rrugës Tetovë-Prizren deri në kufirin me Kosovën. Kasami tha se projekti është në fazën e depërtimit të trasesë dhe përpilimit të projektit për realizimin e segmentit të qarkores mbi Shipkovicë.

“Faza e depërtimit të trasesë është gati në përfundim, dhe unë besoj që deri në fund të vitit, do përmbyllen gjitha procedurat edhe sa i përket projektit themelor edhe sa i përket urbanizimit të asaj rruge apo projektit infrastrukturor. Me këtë do plotësohen kushtet që të sigurohet edhe dokumentacioni përkatës sa i përket lejes së ndërtimit dhe futjes në program për vitin 2027 për realizimin e këtij segmenti të rrugës Tetovë-Prizren. Unë besoj se pa marrë parasysh kushtet atmosferike do të përmbyllen punimet dhe do krijohen kushte që në vitin 2027 do bëhet realizimi përfundimtar i të njëjtës deri në realizim,” tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Akoma nuk dihet nëse asfaltimi i rrugës deri në hyrje të tunelit do të financohet nga Komuna apo do të kërkohen mjete nga Qeveria.

“Për këtë pyetje do kemi përgjigje kur do e kemi projektin themelor dhe aty sigurisht që është edhe parallogaria kur do të dimë sa realisht do kushtoj përmbyllja e këtij projekti,” deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës

" "

Komuna dhe Ministria e Transportit nuk kanë dhënë afate kohore për projektin e tunelit i cili do lidh dy shtetet, e as për koston. Nga Ministria e Transportit njoftuan se projekti i tunelit është në përgatitje e sipër dhe se është në fazën e projektimit nga fakulteti i ndërtimtarisë në Shkup, ndërsa për projektimin e tij janë ndarë rreth 2 milion euro. Kostoja e tunelit, pritet të jetë objekt financimi i përbashkët i dy Qeverive, Maqedonisë dhe Kosovës.

sqShqip