Bullgaria është e gatshme për dialog me Maqedoninë e Veriut, por pa ultimatume dhe pa lëshime nga politika evropiane.

Presidentja bullgare Ilijana Jotova i ka bërë thirrje kryeministrit Hristijan Mickoski të heqë dorë nga pretendimi se çështja me Bullgarinë është vetëm bilaterale.

Deklarata e Jotovës vjen pas mesazheve të kryeministrit Mickoski dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup.

Jotova tha se është “moderatisht optimiste” dhe se do t’i kërkojë ministres së Jashtme bullgare, Petkova Çamovës, t’ia paraqesë notën diplomatike të dërguar nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, me kërkesë për një takim në Sofje.

" "

Ajo shpreson se von der Leyen ka qenë “jashtëzakonisht e prerë” gjatë bisedës me Mickoskin dhe theksoi se, para çdo hapi tjetër, duhet të zgjidhet edhe rasti i Iva Mihajlovës.

“Ende nuk i di detajet e bisedës kokë më kokë me zonjën von der Leyen. Shpresoj që këtë herë ajo të ketë qenë jashtëzakonisht e prerë. Që kjo bisedë të jetë serioze, zoti Mickoski duhet ta lexojë shumë mirë politikën evropiane në lidhje me zgjerimin. Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të harrojë se kjo është çështje bilaterale, siç ai përpiqet ta paraqesë. Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për bisedime me ta, por bisedime pa ultimatume dhe pa lëshime nga politika evropiane. Bullgaria është pjesë e Bashkimit Evropian dhe nuk mund të lejojmë që një vend që ka nisur rrugën evropiane të mos i pranojë vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian, e aq më pak të flasë me ton ultimativ. Megjithatë, mbetemi moderatisht optimistë”, deklaroi Jotova.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje deklaroi se nëse Bullgaria e refuzon takimin, edhe një herë do të konfirmohen tezat e Qeverisë së tij. Sipas tij, nuk do të ishte e mençur që Sofja ta refuzonte ofertën për takim, por vendimi për këtë mbetet e drejtë sovrane e palës bullgare.

Edhe pse nuk është i kënaqur me mesazhin e von der Leyen lidhur me ndryshimet kushtetuese, Mickoski tha se biseda me të ishte miqësore dhe pozitive. Propozimin për një takim bilateral në Sofje e cilësoi si një propozim konstruktiv nga presidentja e Komisionit Evropian.

sqShqip