Shkruan: Emira Selimi
Dy fjalë dua t’i them për Florën.
Flora është prind te biblioteka. Sikur shumë prindër të tjerë.
Jeton larg qendrës së qytetit Manastirit, por çdo ditë i sjell gocat e saj në shkollën shqipe. Kur lindën gocat e saj, ajo zgjodhi t’ua regjistrojë mbiemrin shqip, pa “ski”.
Era, vajza që unë e dua aq shumë, është ende shumë e vogël. E megjithatë, Flora çdo ditë e sjell me makinë, duke u koordinuar me bashkëshortin. Nga shtëpia e tyre deri në qendër kalojnë pranë dy-tre shkollave të tjera. Mund ta kishin zgjedhur rrugën më të lehtë. Por nuk e zgjodhën.
Zgjodhën sakrificën.
Sepse për Florën, shqipja është identitet, është rrënjë, është ajo që nuk pranon t’ua humbasë fëmijëve të saj.
Dhe ndonjëherë, një nënë që çdo ditë merr makinën dhe përshkon gjithë atë rrugë për t’i çuar fëmijët të mësojnë shqip, bën më shumë për një gjuhë sesa dhjetë fjalime të bukura.
Flora nuk flet shumë për sakrificën. Flora e bën atë çdo ditë.

