Maqedoni

Zhvillimi i komunës së Likovës bëhet pjesë e programit qeveritar përmes marrëveshjes Gashi-Zaev

Një nga nëntë pikat që përmban marrëveshja për koalicion mes liderit të Alternativës, Afrim Gashi dhe kryeministrit Zoran Zaev është edhe zhvillimi ekonomik i Likovës. Kjo komunë e banuar me shumicë apsolute shqiptare është anashkaluar plotësisht në aspektin ekonomik edhe pse banorët e saj vazhdimisht votojnë me shumicë për pushtetin. Mirëpo në vend se të shperblehet lojaliteti i likovasve ndaj pushtetit, ky lojalitet është keqpërdorur dhe Likova sot është në mesin e komunave më të varfëra në vend, e cila vazhdimisht po braktiset nga rini.
Këtë anazhkalim tani po e përmirëson Alternativa, duke e futur zhvillimin e Likovës si një nga kushtet për pjesëmarrje në Qeveri.

“Siç e dini, zona e Likovës në 20 vjetët e fundit është ndër rajonet më pak të zhvilluara dhe kjo është evidente. Konstatimi ynë është se kjo, pos neglizhencës së përfaqësuesve, ka mbetur në atë gjendje edhe për arsye se akoma figuron si zonë e krizës. Duke mbetur e tillë, aty as nuk kemi investime të huaja, as nuk kemi avancim të zonës së lirë industriale, që ka mbetur atje djerrinë”, thotë sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Bekim Sali, duke sqaruar shkaqet se pse i dhanë peshë kaq të madhe zhvillimit ekonomik të Likovës në negociatat për pjesëmarrje në Qeveri.

“Prandaj, ne kemi kërkuar që të hiqen të gjitha pengesat juridike që e kanë penguar zhvillimin e Likovës dhe të jepet mundësi që aty të krijohen kushte për zhvillim ekonomik të zonës. Angazhimi ynë është, përmes pjesëmarrjes në qeveri, këtu i kam ndër mend resorët që ne i kemi marrë, për këtë zonë të prodhojmë më shumë zhvillim ekonomik, gjithnjë duke besuar se ky është akti më i lartë politik dhe patriotik për ndalimin e shpërnguljes nga kjo zonë dhe krijimin e perspektivës zhvillimore për të”, thekson Sali.