Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në Galën e Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork, ku ka vlerësuar rolin e diasporës shqiptare dhe marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi, Mexhiti tha se Këshilli përfaqëson një zë të organizuar të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe se angazhohet me institucionet amerikane dhe Kongresin për çështjet që prekin shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe rajon.
“Për ne shqiptarët, kjo lidhje ka një rëndësi të veçantë”, shkroi Mexhiti, duke theksuar mbështetjen amerikane për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe të drejtat e shqiptarëve në rajon.
Sipas tij, diaspora shqiptare në SHBA ka shënuar arritje në biznes, diplomaci, profesione të ndryshme dhe në jetën publike, ndërsa një diasporë e organizuar dhe me përfaqësim të fuqishëm mund të kontribuojë që çështjet shqiptare të dëgjohen në institucionet ku merren vendime.
Mexhiti e cilësoi marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara si një nga lidhjet strategjike të ndërtuara nga shqiptarët ndër dekada.
“Detyra jonë është ta ruajmë dhe ta forcojmë këtë miqësi, ndërsa potencialin e diasporës sonë ta kthejmë në më shumë përfaqësim, bashkëpunim dhe mbështetje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Shqipëri dhe kudo ku jetojnë”, thuhet në postimin e tij.

