Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka deklaruar se si subjekt në pushtet janë të angazhuar për zgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës, problem ky që, sipas tij, nuk është zgjidhur për 22 vite dhe gjatë asaj periudhe janë ndërruar shtatë ministra të Drejtësisë.
Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Qoku tha se problemet e akumuluara në administratë dhe në legjislacion e bëjnë më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
“Trashja e disa defekteve në administratë dhe legjislacion është e vështirë për t’u korrigjuar. Ne premtuam se do e zgjidhim dhe do e zgjidhim”, ka thënë Qoku.
Ai theksoi se çështja e provimit të jurisprudencës është ndër prioritetet e para të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, pas marrjes së detyrës.
“Që në fillim, kur ministri Jeton Shasivari e mori postin e ministrit, një nga çështjet e para që do të zgjidhet ka qenë ajo për provimin e jurisprudencës”, deklaroi Qoku.
Sipas tij, zgjidhja e një problemi që ka mbetur i pazgjidhur për më shumë se dy dekada kërkon kohë dhe kujdes në mënyrë që të shmangen zgjidhjet e pjesshme.
“Dhe të zgjidhet diçka për dy vjet që nuk është zgjidhur për 22 vjet, kjo kërkon kohën e vet dhe mos sjellim zgjidhje gjysmake, por të sjellim zgjidhje të qëndrueshme që nuk kontestohet nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Qoku.

