Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka deklaruar se rastet e Hagës kanë qenë pjesë e diskutimeve gjatë marrëveshjes së Majit të vitit 2007 mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe ish kryeministrit Nikolla Gruevski.
Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Qoku tha se marrëveshja nuk ishte bërë publike dhe pretendoi se në të mund të jenë diskutuar edhe çështje të rëndësishme politike e kombëtare.
“Meqë ajo marrëveshje nuk u bë publike, aty supozohet se Ali Ahmeti ka bërë një pazar për shumë çështje të rëndësishme, siç është Ligji për gjuhën, Ligji për branitellat e për shumë çështje të interesit kombëtar, për ta negociuar dhe bërë pazar çështjet e Hagës që u mbyllën si çështje. Mendoj se është një plagë e cila duhet të jetë e mbyllur”, tha Qoku.
Ai komentoi edhe zhvillimet politike dhe qëndrimet e partisë Levica, duke thënë se në raste të caktuara ato, sipas tij, “përputhen me qëndrimet e BDI-së në opozitë”.
“Po shohim se qëndrimet e Levicës shpesh janë në vijë me BDI-në në opozitë. Mund të krijohen situata të tilla, por ne natyrisht nuk do të pajtohemi me nisma të tilla”, deklaroi Qoku.
Deklaratat e Qokut vijnë në një kohë kur çështjet që lidhen me rastet e Hagës dhe trajtimin e tyre vazhdojnë të jenë pjesë e debatit politik në vend.

