Tetova ka qenë nikoqire e një dialogu ndërkomunal të fokusuar në parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Shkup, Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, si dhe kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bëri të ditur se në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shkëmbimi i përvojave në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Sipas Kasamit, Komuna e Tetovës po bashkëpunon me Qendrën e Strehimit „Etika“, Qendrën për Këshillim Psikologjik „Cortex“, Qendrën për Punë Sociale, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të ofrimit të mbështetjes dhe mbrojtjes për viktimat.
Kasami theksoi se dialogu ndërmjet Tetovës, Dragashit dhe Kukësit synon të krijojë një bashkëpunim më konkret dhe koordinim më të mirë institucional në trajtimin e kësaj problematike.
“Qëllimi i përbashkët është të kemi institucione më të koordinuara dhe mbështetje më të mirë për qytetarët”, u shpreh Kasami.

