Një arritje e rëndësishme akademike dhe profesionale për Dr. Blerim Ademi, i cili mbrojti me sukses të lartë disertacionin e doktoraturës pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Disertacioni, me temë “Vlera diagnostike e nivelit të serumit të proteinës S100β te sëmundjet e enëve të vogla cerebrale që çojnë në dëmtim kognitiv”, trajton një çështje me rëndësi të veçantë shkencore dhe klinike, duke u fokusuar në mundësitë diagnostike dhe në identifikimin e ndryshimeve që lidhen me dëmtimin e funksioneve kognitive.
Punimi shkencor është realizuar nën mentorimin e Prof. Dr. Svetlana Cekovska, ndërsa gjatë mbrojtjes Dr. Ademi prezantoi para komisionit rezultatet e hulumtimit, metodologjinë dhe përfundimet e studimit të tij.
Mbrojtja e doktoraturës shënon përmbylljen e një periudhe të gjatë pune kërkimore, studimi dhe përkushtimi profesional, si dhe një hap të rëndësishëm në avancimin e mëtejshëm akademik dhe shkencor të Dr. Blerim Ademit.
Urime Dr. Blerim Ademi për marrjen e titullit shkencor dhe për këtë arritje të rëndësishme, suksese të mëtejshme në veprimtarinë profesionale, akademike dhe shkencore, si dhe kontribut të vazhdueshëm në zhvillimin e mjekësisë dhe në shërbim të pacientëve.

