Projektet dhe masakrat greke dhe serbo-malazeze për të marë tokat shqiptare me përkrahje të Rusisë
Prof. dr. Zeqirja REXHEPI
Në fillet e sh. XIX, Perandoria Osmane tregonte shenjat e dukshme të rënies së fuqisë së saj. Në Evropën Perëndimore, ndodhte një proces tjetër, përkatësisht përhapja e ideve të Revolucionit Francez në gjithë Evropën, nën ndikimin e të cilave lindën shumë lëvizje për pavarësi kombëtare.
Në Ballkan grekët ishin të parët që e fituan pavarësinë kombëtare, (1830), ndërkaq, serbët, malazezët dhe rumunët fituan autonomitë e tyre, të cilëve Kongresi i Berlinit (1878) ua njohu pavarësitë. Së fundi edhe bullgarët dhe shqiptarët do të fitojnë shtetet-kombe (1908) dhe më (1912).
Popujt e vegjël ballkanikë, në kohën e lëvizjeve kombëtare i rritën orekset e tyre për territore, për këtë arsye hartuan projekte për të zaptuar tokat e fqinjëve të tyre, të cilët ishin vonuar në procesin e krijimit të autonomisë dhe shtetit kombëtar. Për realizimin e këtyre projekteve, zhvilluan konceptin e kërkimit të “fuqisë mbështetëse”, koncept ky që shpaloset në periudhën e Luftërave Ballkanike (1912). Në fokus të sulmeve të këtyre projekteve dhe koncepteve u ndodhën shqiptarët, të cilët ishin pikësynim i projekteve greke dhe serbo-malazeze.
Kështu, nën flamurin e “luftërave çlirimtare”, shtetet e vogla ballkanike, të mbështetura nga Rusia, në të vërtetë zhvilluan luftëra pushtuese, duke pushtuar troje që nuk ishin të tyre. Krahas pushtimit të territoreve, ushtritë serbo-malazeze dhe greke masakruan popullatën vendase, shqiptare, me çka shpalosën synimet e tyre nacionaliste për shfarosjen dhe zhbërjen e popullit shqiptar nga trojet e veta etnike.
Shfarrosja dhe zhbërja e shqiptarëve nga trojet e veta etnike, nga koha e Luftërave Ballkanike e deri në fund të shekullit XX, u shndërrua në program kombëtar të nacionalistëve serbomëdhenj.
Në prag të Luftës së Parë Botërore, kur marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë ishin acaruar së tepërmi, Franca si aleate e devotshme e Rusisë, e ndihmon atë hapur në çështjet e Ballkanit. Me këtë rast, diplomati rus Sazonovi i kishte bërë një paralajmërim Austrisë, se: “Serbia ka një mik shumë të ngrohtë te populli rus, dhe Rusia ka një aleate, Francën”.
Po të analizohen interesat e fuqive tjera të mëdha, në fillim të shekullit XX, kur në hapësirën shqiptare u zhvilluan ngjarje të bujshme, rreth krijimit të autonomisë së Shqipërisë, në arenën e marrëdhënieve midis Fuqive të Mëdha, në veçanti marrëdhëniet franko-gjermane shkonin drejt një konfrontimi të madh. Franca dhe francezët asnjëherë nuk u ngushëlluan me humbjen e Alzasit dhe Lorenës. Rivaliteti franko-gjerman, i cili merrte përmasa të një konfrontimi kontinental, do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejt në zgjidhjen jo të drejtë të çështjes shqiptare.
Njëqind e nëntë vjet më parë, pra më 1912, në vitin e kryengritjes së përgjithshme, populli shqiptar nuk mund të llogariste në mbështetjen e Francës, e cila ishte e rreshtuar në anën e Rusisë, që ishte mbështetësja kryesore e shteteve sllave të Ballkanit. Shqiptarët u mbështetën vetëm nga Austro-Hungaria dhe pjesërisht nga Italia.
Zgjidhja jo e drejtë e çështjes shqiptare, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në Konferencën e Londrës (1913), është drejtpërdrejtë rrjedhojë e rivalitetit franko-gjerman, vende që krijuan aleancat e mëdha, sikurse edhe nënaleancat e atyre aleancave.
Vlen të thuhet se, fundi i Luftës së Parë Botërore ishte një rast ideal historik që iu dha Fuqive të Mëdha – fituese, për të vendosur drejtësi dhe paqë të përhershme në Ballkan, sikur të vendosej sipas propozimit të Presidentit Amerikan, Uilson – vetëvendosjes së popujve.
Gjatë kohës së Konferencës së Versajit, kur vendosej fati i popullit shqiptar (1919), dy fuqitë e interesuara për shtrirjen e ndikimit në Ballkan, nuk ekzistonin: Rusia përpëlitej në Revolucionin Bollshevik dhe nuk merr pjesë në vendosjen e rendit evropian, ndërsa Austro-Hungaria ishte shpërbërë si shtet. Mirëpo, fuqitë fituese, Franca dhe Britania e Madhe nuk shprehën gatishmëri për të arritur zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkan.
Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, komunistët jugosllavë, morën përsipër çlirimin e Jugosllavisë nga fashizmi dhe u zotuan se “Jugosllavia e Re” do t’i korrigjojë gabimet e mëparshme, mbi parimin e “vetëvendosjes” së popujve. Mirëpo, komunistët jugosllavë edhe përkundër platformës ideore, e mohuan parimin e vetëvendosjes dhe të barazisë kombëtare, të proklamuar gjatë Luftës Antifashiste. Ata, jo vetëm që e mohuan vullnetin e popullit shqiptar, të shprehur në Konferencën e Bujanit, për t’u bashkuar me Shqipërinë, por përkundër këtij vullneti nën trysni ushtarake i detyruan shqiptarët e Kosovës të bashkohet me Serbinë. Kështu komunistët jugosllavë jo vetëm që nuk e njohën të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje, por edhe njëherë e copëtuan tërësinë kombëtare shqiptare në Jugosllavinë socialiste.
Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, Franca heq dorë nga ideja e dikurshme e Rishelje-së, që përmes dobësimit të Gjermanisë të sigurohet dominimi i saj në Evropë. Elita e politikanëve të rinj francezë ofrojnë një ide të re, që në esencë dallohej nga ideja e Rishelje-së. Oferta franceze, njëkohësisht do të thotë edhe krijim të klimës së re, në marrëdhëniet franko-gjermane që do të pamundësojë çdo konflikt eventual midis këtyre dy fuqive evropiane.
Çështja shqiptare në Ballkan mori rrugëzgjidhje në periudhën e afrimit midis Francës dhe Gjermanisë. Afrimi franko-gjerman ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur Franca heq dorë nga ideja e dikurshme e Rishelje-së. Plejada e re e politikanëve francezë, si Zhan Mone, Robert Shuman dhe të tjerë pas tyre, ofrojnë projekt të ri, i kundërt nga ai i Rishelje-së, pra jo ide konfrontuese, por marrëveshje midis Francës dhe Gjermanisë. Idetë e reja franceze rezultuan me krijimin e klimës së bashkëpunimit franko-gjerman, që do të pamundësojë çdo konflikt eventual midis këtyre dy fuqive evropiane.
Marrëdhëniet e reja franko-gjermane, pas shumë kundërthënieve historike dhe luftërave të përgjakshme, në fakt janë shtylla kryesore e Evropës së Bashkuar, që siguron paqen në kontinent dhe njëkohësisht perspektivën e shqiptarëve brenda Familjes së Madhe Evropiane.
(Punim i prezantuar në Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë, mbajtur pak ditë më parë në Universitetin e Tetovës – Fadil Sulejmani, Me titull: SHQIPTARËT MIDIS INTERESAVE TË FUQIVE TË MËDHA (SH. XIX-XX)