May 5, 2024
Dossier

Studenti i mjekësisë nga Kosova që ra dëshmor në Likovë (Kumanovë)

VRASJA E STUDENTIT TË MJEKËSISË GJATË LUFTËS SË UÇK-ËS 2001 NË MATEÇ

Visar Krasniqi

Visar Krasniqi u lind më 26.02.1981 në fshatin Drenovc të komunës së Malishevës në Kosovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen drejtimin e mjekësisë në Malishevë. Babai Hamidi e nëna Shefkije kishin 11 fëmijë: Xhemilen, Ismetin, Xhevdetin, Lumturijen, Valdetin, Nexhmijen, Mendehijen, Ardianin, Linditën, Visarin dhe Valonin. Me të kryer shkollën e mesme të mjekësisë, Visari u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm dhe dëshironte të bëhej mjek i mirë. Edhe do të bëhej po të mbetej gjallë, sepse kishte vullnet për mësim dhe kushte të mira ekonomike. Vëllezërit që ishin para Visarit, e këshillonin atë vetëm të mësonte, duke i garantuar heqjen e shpenzimeve. Megjithatë, fati i dha tjetër rrjedhë jetës së Visarit. Me të filluar lufta në Maqedoni ai me shokët ……….., filluan të interesohen se si të depërtonin në vijat e frontit. Për ta më me rëndësi ishte zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare sesa studimet. Siç tregon nëna e tij, përpara se të nisej për në Maqedoni e kishte këshilluar të birin e saj Visarin të konsultohej me vëllezërit më të mëdhenj, por ai ia priti me fjalët: “Si të pres kur nuk pret situata në Maqedoni, si t’i lëmë vëllezërit tanë në tym e flakë. Ata janë vëllezërit tanë që na ndihmuan neve kur ishim në atë gjendje dhe duhet t’ua kthejmë borxhin”. Visarit i ngutej për luftë, kështu që ai jo vetëm që i la anash studimet, por edhe dashurinë e tij djaloshare. Një natë para se të nisej e kishte sjellë në shtëpi vajzën që e dashuronte dhe me të cilën planifikonte të fejohej. Asaj iu drejtua me fjalët: “Ty fisnike dua të të njoftoj se po marr rrugën për në luftë dhe lufta mund të sjellë gjëra të padëshiruara: mund të mbetem gjallë, por edhe të mbetem invalid ose të vritem. Ti duhet të jesh e përgatitur për të gjitha”. Këto ishin fjalë të rënda për vajzën, por ajo iu ktheu: “Dashtë Zoti e kthehesh gjallë e shëndosh, por unë edhe nëse kthehesh në karrocë do të mbetem me ty, e nuk do të ndahem prej teje”. Ishin këto çaste rrëqethëse emocionuese, ku flitej për jetë a vdekje, për aftësi a paaftësi për bashkim të sërishëm a ndarje të përhershme. Kështu, në këto momente mërzie, u ngrit në këmbë mori leje nga të gjithë dhe u përshëndet, duke i lënë anëtarët e familjes dhe të dashurën me shpresë se do të takohen sërish në ndonjë ditë gëzimi. Më 16.03.2001 Visari depërtoi në Maqedoni, prej nga iu lajmërua familjes se kishte arritur në vendin e duhur. Visari kishte përvojë ushtarake nga lufta e Kosovës, ku kishte përfituar shkathtësi të mëdha. Sa për ilustrim vlen të ceket fakti se me një rast ai, edhe pse i paarmatosur, ia kishte dalë të kapte një polic serb që bënte roje, të cilit ia kishte marrë armën. Ndonëse ishte akoma i ri, tetëmbëdhjetë vjet, ai shquhej për nga përgatitja e tij e madhe dhe kjo ishte shumë e mirëseardhur për gjendshmërinë e tij në luftën në Maqedoni. Pas një qëndrimi në Maqedoni, Visari ishte kthyer në Kosovë për të vizituar familjen e tij. Siç rrëfen nëna e tij, ishte ai moment i gëzimit dhe ajo kishte menduar se iu plotësua dëshira që t’i kthehej djali shëndosh e mirë mbase lufta ishte në përfundim e sipër. Ajo kishte menduar se Visari nuk do ta merrte më atë rrugë. Sa qëndroi në shtëpi gjatë gjithë kohës Visari bisedonte vetëm për luftën, dëshmorët, popullatën…Sipas nënës së tij, me ato fjalë sikur dëshironte t’i përgatiste familjarët se duhej të bëheshin të fortë, po ta gjente atë ndonjë e keqe. Nëna po ashtu sjell në kujtesë momentin kur Visari u nis sërish për në Maqedoni. Para se të nisej për së dyti, kishte lënë amanet që nëse vdes, kurse kunata e tij priste të lindte fëmijë, sikur fëmija të ishte djalë, atëherë ta emërtojnë atë me emrin e tij. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Sot në familjen Krasniqi po rritet Visari i vogël. Gjithashtu para se të nisej Visari iu drejtua nënës së tij me fjalët: “Nënë, prej sot numëro shtatë ditë, kurse në ditën e shtatë, unë do të kthehem, sepse lufta është duke përfunduar. Merre këtë faculetë, i kam disa franga zvicerane që m’i kanë dhënë dhuratë disa shokë të mi të Maqedonisë. M’i ruaj se kur do të kthehem do t’i harxhojë me shokë në Malishevë”. Sot e kësaj dite nëna i ruan me dhimbje e mall atë faculetë dhe të hollat, për ta mbajtur gjallë kujtimin e fundit të të birit. Nëna e tij tregon se gjithnjë ka qenë e përgatitur për të dëgjuar lajmin për rënien e Visarit, por ajo që ka pasur më së shumti frikë ka qenë që djali të mos i zihej rob. Ajo druante se djali nuk do ta njohë mirë terrenin, e do të bie në duart e forcave maqedonase. Prandaj pasi që i frikësohej kësaj, shpesh e porosiste të birin të ketë kujdes të njoftohej mirë nga vendasit rreth terrenit të luftës. Mirëpo kjo Visarin aspak nuk e frikonte, sepse ishte i përgatitur dhe e njihte edhe shtrirjen e shqiptarëve në ato vende. Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi. Në ditën e shtatë kur ai shpresonte të kthehej në shtëpi, mu atë ditë Visari ra dëshmor. Shtatë ditët që i kishte thënë të ëmës që t’i numëronte për të shënuar kthimin e tij nga lufta, u shndërruan në ditë të numëruara për moskthim. Me datë 02.06.2001 ra heroikisht për te mos vdekur kurr Visari!Lajmin për Visarin nëna në fillim e mori nga djali i saj Ismeti, i cili i kishte thënë se është plagosur rëndë. Megjithatë, Ismeti nuk kishte mundur t’i përmbante lotët për vdekjen e vëllait, gjë që e hetoi e ëma. Ajo menjëherë u interesua se a ka rënë në vijën frontale a është zënë rob. “Jo i tha Ismeti, – është vrarë në luftën e ashpër në fshatin Mateç në një afërsi prej 20 metrave ballë për ballë me forcat maqedonase”. Atëherë nëna e përqafoi të birin Ismetin dhe siç shprehet kur mori vesh se ka rënë në vijën e luftimeve, ka ndjerë se i është hequr gjysma e mërzisë. “Është krenari të vdesësh trimërisht në front dhe më e rëndë është të kapesh rob”, – shton nëna e Visarit, Shefkija 7 ditë pas ramjes së Visarit vëllau Ardiani që atë kohë jetonte dhe punonte në Zvicër vendosi që amanetin e vëllaut Visarit ta qon deri në fund! Ishin bashkëluftëtarët e Visarit që vinin në ngushëllime tek familja Krasniqi dhe njëri nga ata ishte Osman Imer Krasniqi djali i Dëshmorit Imer Krasniqi që edhe ai ishte kthyer nga Ilirida për të ngushëlluar Familjen Krasniqi! Pas ngushëllimeve vëllai i Visarit Ardiani ju kishte ofruar dhe e kishte pyetur se kur do të këthehen dhe ai i ishte përgjigjur nesër, por erdhëm veq për të ju ngushëlluar. Ardiani i thot unë do të vi me ju e Mani për një moment ngeli pa fjalë, ju mbushën syt me lot dhe i tha i gjallë pa e nxjerr hakun nuk kam me lënë. Nëse ke vendos atëher shihemi nesër! 09.06.2001 Ardiani me shok morrën rrugën për Ilirid . Pas dy ditë rrugë të mundishme kishin arritur në orët e mbrëmjes në Hotel. Aty kishte shumë ushtar nga Malisheva që ishin nën Komandën e Komandant Malishevës -Muhamet Krasniqit
Nga libri: Dëshmorët e Kombit (UÇK-2001) Dr.Minir Ademi