Në kuadër të vizitës zyrtare në Bursa, Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, së bashku me delegacionin e Komunës së Strugës, u prit në Komunën Metropolitane të Bursës nga Kryetari në detyrë, z. Şahin Biba.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Bursës dhe Strugës, me theks të veçantë në turizëm, investime dhe shkëmbimin e përvojave në qeverisjen lokale.
Bursa, një nga qendrat më të mëdha urbane dhe ekonomike të Turqisë, përfaqëson një potencial të rëndësishëm për krijimin e lidhjeve të reja ekonomike dhe institucionale.
Kryetari Qyra theksoi rëndësinë e promovimit të potencialeve turistike të Strugës dhe krijimit të hapësirave konkrete për investitorët nga Bursa, duke e parë bashkëpunimin mes dy qyteteve si një mundësi për projekte të reja dhe zhvillim të përbashkët.
Duke pasur parasysh regjimin pa viza ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, si dhe afërsinë e Strugës me Aeroportin Ndërkombëtar të Ohrit, vetëm rreth 4 km larg qytetit, Struga paraqet një destinacion tërheqës dhe lehtësisht të qasshëm për qytetarët e Bursës dhe rajonit.
Nga miqësia te partneriteti – Struga hap dyer të reja për bashkëpunim, investime dhe zhvillim.

