Dibër, 17 shtator – Janë larg vendlindjes, por gjithmonë me aktivitetet e tyre janë pranë saj. Kjo është historia e shumë dibranëve që jetojnë dhe punojnë në diasporë, por që nuk e harrojnë qytetin ku janë rritur, Dibrën. Një prej tyre është biznesmeni dibran Munir Maqellara, i cili prej vitesh jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij në Francë, por që në kontinuitet vazhdon të kontribuojë në Dibër në sfera të ndryshme. Deri tani ka dhënë shumë donacione në Dibër dhe së fundmi, Muniri ka dhënë një tjetër kontribut për komunitetin, duke rinovuar shatërvanin pranë Xhamisë së 100 Dritareve në Dibër. Me këtë ndërhyrje, një hapësirë e njohur për besimtarët dhe qytetarët është përmirësuar dhe i është dhënë një pamje më e mirë objektit fetar në Dibër, i cili u ndërtua me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Për këtë donacion dhe për kontributin e tij të vazhdueshëm e ka përshëndetur edhe Myftiu i Dibrës, Reshat Kaçallniki. Ai shprehu mirënjohjen për veprën e Maqellarës dhe vlerësoi gatishmërinë e tij për të vazhduar të kontribuojë edhe në të ardhmen.
Sipas Myftiut Kaçallniki, angazhimi i Munir Maqellarës nuk përfundon me këtë projekt. “Biznesmeni dibran Munir Maqellara pritet së shpejti të vazhdojë me punë dhe projekte të tjera në xhami, duke i shërbyer komunitetit dhe besimtarëve”, deklaroi Myftiu Kaçallniki. Kontributi i Munir Maqellarës ka qenë i pranishëm në shumë sfera. Ai ka mbështetur edhe shkollat e Dibrës, duke ndihmuar në aktivitete dhe iniciativa të ndryshme në shërbim të nxënësve dhe arsimit. Ky është një shembull i mirë i mënyrës se si diaspora mund të jetë pjesë e jetës së vendlindjes. Edhe pse jetojnë mijëra kilometra larg, shumë dibranë vazhdojnë të investojnë jo vetëm në familjet e tyre, por edhe në komunitetin ku kanë lindur dhe janë rritur.
Munir Maqellara, përndryshe anëtar i familjes fisnike dibrane Maqellara, është një prej atyre dibranëve që suksesin e tij jashtë vendit e shoqëron me përgjegjësi dhe dashuri për vendlindjen. Në një kohë kur qytetet kanë nevojë për më shumë iniciativa dhe mbështetje, kontributet e tilla marrin një rëndësi të veçantë. Ato jo vetëm përmirësojnë hapësirat publike dhe institucionet, por japin edhe një mesazh të bukur: vendlindja nuk harrohet, edhe kur jeta të çon larg saj.
Dibra ka shumë bij dhe bija jashtë vendit, në Amerikë dhe Evropë, por vlera më e madhe e tyre është kur ata nuk e harrojnë vendlindjen dhe kthehen tek ajo jo vetëm me mall, por edhe me vepra humane. (koha.mk)

