Kandidati për president, profesori Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës.

Sejdiu në një postim në Facebook ka thënë se duke u marrë parasysh rrethanat, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për t’u zgjedhur e po ashtu nga devijimi i tërë procesit, ka vendosur të tërhiqet dhe se për këtë ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sejdiu ishte prezantuar si kandidat konsensual për president dy javë më parë, pas marrëveshjes së dakorduar mes VV-së dhe LDK-së.

Por, gjashtë deputetë nga 18 sa i ka LDK-ja deklaruan se nuk do të votojnë për Sejdiun.

" "

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës. Për këtë vendim timin i kam njoftuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Mbështetja e gjerë që më është ofruar këto ditë, nga kolegë, miq, personalitetete publike e të shoqërisë civile dhe, në mënyrë të veçantë, nga mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më ka bërë krenar për punën time në shërbim të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

Sejdiu tha se dy javë më parë ishte kontaktuar nga përfaqësues të LDK-së, të cilët e kishin ftuar në takim të përbashkët me delegacionet e kryesuara nga LDK-ja dhe VV-ja.

“Aty u njoftova se, pas një procesi shterues bisedimesh, këto dy parti kanë arritur pajtueshmëri që emri im të propozohet si kandidat jopartiak për President të Republikës së Kosovës. E konsideroj këtë si besim të madh ndaj meje si person dhe një vlerësim për kontributin tim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës. Përfaqësuesve të këtyre dy partive ua shpreh mirënjohjen time më të thellë, që më kanë nderuar me një besim të tillë dhe për mbështetjen e tyre përgjatë këtij procesi”, tha Sejdiu.

Ai tha se ka besuar se partitë politike dhe deputetët do ta gjejnë forcën për t’i tejkaluar ndasitë, e për t’i dhënë vendit institucione stabile në këto kohë të vështira.

Sejdiu thotë se Kosova s’ka nevojë “për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit’.

“Prandaj, me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz, i cili, më shumë se çdo gjë tjetër, po e venitë shpresën e qytetarëve për një të ardhme prosperuese për ta dhe familjet e tyre. Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime. Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht”, ka shkruar Sejdiu.

VV-ja pas tërheqjes së Sejdiut: Ishte mundësia që çështja e presidentit të zgjidhej, por u bllokua sërish
33 min. më parë / 14 sht 2026 22:24
Vetevendosje logo
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur keqardhje që profesori Bekim Sejdiu ka vendosur të tërhiqet nga kandidatura për president të Kosovës.

Vetëvendosja ka thënë se marrëveshja për të propozuar Sejdiun si kandidat konsensual u arrit pas bisedimeve politike dhe vullnetit për t’i dhënë Kosovës një zgjidhje.

“Fatkeqësisht, pas arritjes së marrëveshjes, një pjesë e deputetëve të LDK-së doli kundër kandidaturës së miratuar edhe nga partia e tyre. Ndërsa PDK-ja dhe Aleanca u deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Kështu u krijuan rrethanat që e pamundësuan zgjedhjen e Presidentit në Kuvend. Në këto rrethana erdhi edhe vendimi i profesorit Sejdiu për t’u tërhequr”, është thënë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëvendosje ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë e tij.

“Kuvendi është vendi ku dallimet politike shprehen me votë. Mund të votosh për, mund të votosh kundër. Por kur mospjesëmarrja përdoret për ta pamundësuar votimin, atëherë nuk kemi më dallim politik rreth një kandidati, por pengim të vetë procesit kushtetues dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të përsëritura. E falënderojmë profesor Bekim Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin e treguar gjatë këtij procesi. Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, thuhet nga VV.

Sejdiu ishte propozuar kandidat konsensual dy javë më parë. Por, gjashtë deputetë të LDK-së u deklaruan se s’do të votojnë Sejdiun. Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri u deklaruan kundër kësaj kandidature.

Nagavci: Tërheqja e Sejdiut nga gara për president është humbje
1 o. më parë / 14 sht 2026 21:25
Arbërie Nagavci
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se tërheqja e profesor Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Kosovës është humbje.

Nagavci ka shprehur mirënjohje për Sejdiun që ka treguar gatishmërinë për t’u kandiduar për president.

Sejdiu ishte propozuar si president konsensual në marrëveshjen e dakorduar mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dy javë më parë. Por, ai sot ka njoftuar se është tërhequr nga gara.

Kundër Sejdiut ishin deklaruar gjashtë nga 18 deputetët e LDK-së. Kujtim Shala, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri deklaruan se nuk do ta votojnë Sejdiun.

Nagavci ka thënë se po krijohet një klimë politike që po demotivon personalitete që të vënë dijen e përvojën në shërbim të shtetit.

“Tërheqja e prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për President të Republikës është humbje për një proces që do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet. Fatkeqësisht, në vend që të krijojmë hapësirë për personalitete të tilla që të vënë dijen dhe përvojën e tyre në shërbim të shtetit, po krijohet një klimë politike që i demotivon ata. Përpjekja për ta çuar vendin me lehtësi drejt zgjedhjeve të reja po na dërgon nga një bllokadë në tjetrën, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një konsensusi që i duhet vendit. Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja. Ka nevojë për përgjegjësi, stabilitet institucional dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Prof. Sejdiut i shpreh respekt dhe mirënjohje për gatishmërinë që, me integritetin dhe profesionalizmin e tij, t’i shërbejë Republikës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Abdixhiku: Bekim Sejdiu tregoi dinjitet
3 o. më parë / 14 sht 2026 19:12
Lumir Abdixhiku 2026
Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Bekim Sejdiut për tërheqje nga kandidatura. Abdixhiku është shprehur se Sejdiu ka treguar dinjitet dhe se tërheqja e tij dëshmon pse ishte zgjedhja e duhur për këtë pozitë.

Abdixhiku ka thënë se kjo është PISA politike e Kosovës, duke rrënuar çdo përpjekje normale.

Gjashtë deputetë të këtij subjekti politik u deklaruan kundër kandidaturës së Sejdiut.

“Sa shumë kemi nevojë për njerëz të mirë në këtë vend. Sa lehtë i hedhim poshtë. Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi të rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje. Edhe pas tyre, në te tjerat”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.

Edhe ish-presidentja e vendit Vjosa Osmani, njëherit përfaqësuesja e LDK-së në negociatat me Lëvizjen e Vetëvendosje për çështjen e presidentit, ka thënë se Sejdiu duhet të falënderohet jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit por edhe për mënyrën se si e përballoi tërë këtë proces.

“Jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen. Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Kandidati për president, profesori Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës.

Në njoftim, Sejdiu ka thënë se duke u marrë parasysh rrethanat, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për t’u zgjedhur e po ashtu nga devijimi i tërë procesit, ka vendosur të tërhiqet dhe se për këtë ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

sqShqip