Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) publikoi listën e shtatorit të debitorëve më të mëdhenj, ku janë gjithsej 5.240 persona juridikë dhe fizikë me detyrime të papaguara në vlerë prej mbi 13,64 miliardë denarë, ose rreth 221,8 milionë euro.
Sipas DAP, njëra prej kompanive nuk ka pasuri nga e cila borxhi mund të arkëtohet drejtpërdrejt. Për këtë kompani është në fuqi arkëtimi i detyruar nga mjetet monetare, është përcaktuar garanci tatimore dhe po zhvillohen masa për arkëtim nga garantuesi tatimor.
Në krye të listës janë tri kompani nga Shkupi. Debitori më i madh është “Hant Osoj Trejd”, me borxh prej mbi 900 milionë denarësh, ose rreth 14,87 milionë euro. Me një shumë të ngjashme detyrimesh është edhe kompania shkupjane “Okitna Trejd”, e regjistruar në Vizbeg, transmeton portali Lideri.mk. Ndër tre debitorët më të mëdhenj është edhe “Lisav” nga Shkupi.
Te këto tri kompani, sipas të dhënave të publikuara, borxhi lidhet ekskluzivisht me TVSH-në e papaguar. Lista përfshin borxhet që kanë arritur për pagesë deri më 31 maj 2026, por që nuk janë paguar deri më 31 gusht.
Kompania “HANT Osoj” ka vetëm një të punësuar dhe është themeluar në vitin 2022. VMRO-DPMNE, kur ishte në opozitë, kishte pretenduar se kompania deri në fund të vitit 2022 quhej “Hantonos” dhe se pronari i atëhershëm Vase Panajotov ia kishte shitur kompaninë një personi të quajtur Agim Imeri nga Kosova. Sipas pretendimeve të partisë, Imeri kishte përfituar rimbursim të TVSH-së në vlerë prej 12 milionë eurosh dhe më pas ishte zhdukur.
Sipas deklaratave të atëhershme të zëdhënësit të VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski, kompania kishte realizuar për një periudhë të shkurtër tregti dhe importe në vlerë prej 57 milionë eurosh, ndërsa kishte përdorur rimbursim të TVSH-së prej mbi 10 milionë eurosh.
Stoillkovski kishte pretenduar gjithashtu se kur erdhi koha për pagesën e tatimit në vitin 2023, UJP-ja konstatoi se kompania nuk e paguante tatimin. Sipas pretendimeve të tij, MPB-ja më pas kishte konstatuar se Agim Imeri, të cilit i ishte shitur kompania, nuk kishte hyrë fare në Maqedoninë e Veriut gjatë periudhës kur supozohej se e kishte blerë dhe drejtuar kompaninë.
Sipas pretendimeve të atëhershme të VMRO-DPMNE-së, UJP-ja kishte konstatuar se kompania nuk kishte libra afaristë dhe as kontabilitet, ndërsa borxhi tatimor arrinte në 12 milionë e 226 mijë euro.
Edhe për kompaninë “Okitna Trejd”, VMRO-DPMNE kishte ngritur akuza për parregullsi lidhur me rimbursimin e TVSH-së. Sipas partisë, në fund të vitit 2022 kompania kishte kaluar nga pronarja e atëhershme Zule Kërmzova te Egzon Berisha nga Kosova, i cili, sipas pretendimeve të partisë, kishte përfituar rimbursim të TVSH-së prej 11 milionë eurosh.
UJP-ja i kishte mohuar pretendimet se kishte pasur pagesa të paligjshme të rimbursimit të TVSH-së, duke sqaruar se paratë nuk u ishin paguar këtyre kompanive, por se ndaj tyre po kërkohej arkëtimi i tatimit.
“Lisav Kompani” DOOEL nga Buteli është debitori i tretë më i madh, me borxh prej mbi 440 milionë denarësh. Pas saj renditet “Dianita” nga Strumica, me borxh prej 378 milionë denarësh, ose pak më shumë se 6 milionë euro, i gjithi në bazë të TVSH-së.
Përmes “Dianita”, gjatë vitit të kaluar janë realizuar qarkullime prej 182 milionë eurosh, ndërsa kompania ka raportuar humbje prej pak më shumë se 700 mijë eurosh. Pronari është Dragi Mekanxhiski nga Strumica. Kompania disponon tri magazina për tregti me shumicë të tekstilit, dy në Kisella Vodë dhe një në Strumicë.
Deri më 7 korrik, “Dianita” kishte qenë 511 ditë nën bllokadë nga UJP-ja, e cila deri atëherë kishte dërguar 23 vendime për përmbarim në vlerë prej 5,65 milionë eurosh.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar muajin e kaluar njoftoi se kjo kompani është e lidhur me rrjetin e kompanive të biznesmenit nga Strumica, Risto Kërmzov, të cilat, sipas Prokurorisë, kanë arkëtuar në mënyrë të paligjshme 37 milionë euro nga shteti për rimbursim të TVSH-së.
Në listë është edhe “PINE Grup” DOOEL Shkup, e cila është e bllokuar nga UJP-ja prej tre vitesh dhe ka borxh prej 332 milionë denarësh, ose rreth 5,5 milionë euro.
“Gimashi Kompani” DOOEL Shkup ka borxh prej 295 milionë denarësh, ndërsa dega e kompanisë çeke “SGSM Oil and Gas Service” i detyrohet UJP-së rreth 4 milionë euro, pothuajse të gjitha në bazë të TVSH-së.
Një tjetër kompani e biznesmenit Risto Kërmzov, “Mintikos Tekstil” DOOEL Strumicë, ka borxh rreth 3 milionë euro dhe nuk posedon pasuri të luajtshme apo të paluajtshme nga e cila mund të arkëtohet borxhi.
Ndërkohë, “Abira Plus” DOOEL nga Kumanova ka borxh pak më pak se 3 milionë euro. Kompania deri në vitin 2018 ishte në pronësi të Trajçe Zaevit, kushëririt të ish-kryeministrit Zoran Zaev.
Në listën e re nuk ndodhet më “Divelop Grup”, e cila para katër muajsh kishte borxh mbi 2 milionë euro. Kompania, bashkëpronar i së cilës është Jordan Mijallkov, djali i ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, e ka shlyer borxhin dhe nuk figuron më në listën e UJP-së.
Lista përfshin detyrime në bazë të TVSH-së, tatimit mbi fitimin, tatimit personal mbi të ardhurat, kontributeve për sigurim të detyrueshëm social, akcizave dhe doganave.
Nga gjithsej 5.240 debitorë, 2.008 janë persona juridikë, ndërsa 3.232 janë persona fizikë. Krahasuar me muajin paraprak, numri është rritur me dy kompani dhe 38 persona fizikë, ndërsa borxhi i përgjithshëm i papaguar është rritur për rreth 7,3 milionë euro.
Vetëm borxhi në bazë të tatimeve dhe kontributeve arrin në 13,46 miliardë denarë, ose rreth 218,8 milionë euro. Brenda një muaji, ky borxh është rritur për pothuajse 7,5 milionë euro.
Në total, pjesa më e madhe e 221,8 milionë eurove që shteti kërkon nga debitorët lidhet me tatimet dhe kontributet e papaguara./Lideri

