Ka filluar sanimi i ndriçimit të Urës së Gurit në Shkup, për shkak të të cilit simboli i qytetit ka qenë jashtë funksionit. Zgjidhja e re synon të nxjerrë në pah harqet e saj prej guri dhe t’i rikthejë urës pamjen karakteristike gjatë natës.

Qyteti i Shkupit njoftoi se kanë nisur aktivitetet për vendosjen e ndriçimit arkitektonik dhe dekorativ. Ndërhyrja do të harmonizohet me arkitekturën dhe pamjen autentike të urës, transmeton portali Lideri.mk.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet harqeve karakteristike prej guri, të cilat pritet të bëhen pjesë e panoramës së natës së Shkupit. Qëllimi është që forma e tyre të vihet në pah pa cenuar karakterin e objektit.

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka shkruar në Facebook se synimi është të krijohet një pamje për të cilën shkupjanët do të krenohen, ndërsa vizitorët do ta kujtojnë si një nga pamjet më të bukura të Shkupit.

" "

Ndriçimi i Urës së Gurit prej vitesh ka qenë në gjendje të keqe. Në disa vende kishin mbetur vetëm kabllot, pasi llambat ishin vjedhur, duke bërë që pjesë të urës të mbeteshin në errësirë gjatë natës.

Sipas kryetarit Gjorgjievski, projekti është rezultat i bashkëpunimit me Komunën e Esenlerit, ndërsa ai ka shprehur mirënjohje për komunën dhe të gjitha institucionet e përfshira në projekt.

Ndriçimi i ri pritet të krijojë një pamje të re të Urës së Gurit gjatë natës, pa cenuar identitetin e saj historik.

Ura e Gurit është një nga simbolet më të rëndësishme të Shkupit dhe një nga elementet kryesore të identitetit të qytetit. Ajo është gjithashtu një nga lidhjet më të frekuentuara për këmbësorët në qendër të qytetit, duke lidhur sheshin “Maqedonia” me Çarshinë e Vjetër të Shkupit përmes lumit Vardar./Lideri

sqShqip