Maqedoni

Vendkalimi kufitar Llojan-Miratoc u harrua, para dy viteve u tha se gjithçka gati!

Dy vite më parë me shumë pompozitet u paralajmërua hapja e vendkalimit kufitar Llojan Miratoc që lidh komunat e Likovës e Kumanovës me Luginën e Preshevës.

Por sot dy vite gjithçka e heshtur dhe se ky kufi që u paralajmërua edhe si ndërkombëtar mbetet në harresë, përcjell INA.

Banorët thonë se janë të mësuar me premtime të tilla që shkojnë e vijnë tashmë 20 vite. “Nuk presim se do të ndodhe kjo. Nëse do ketë zgjedhje sërish do ta përdorin, dhe do harrohet. Ka lënë një porosi plaku ynë i ndjerë i Llojanit”, thotë për INA një banor i fshatit Llojan.

Ai thotë se nëse do hapej kufiri atij dhe familjeve tjera u duhen vetëm 3 km për të kaluar në anën tjetër të kufirit, derisa tani duhet të përshkojnë një rrugë prej 60-70 km.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani në shkurt të këtij viti paralajmëroi finalizimin e pritjes 20 vjeçare të banorëve të të dyja anëve të kufirit, sidomos banorëve të Llojanit dhe Miratocës, që kanë lidhje të ngushta familjare.

“Mora garanci se do të vazhdojë me punën intenzive, me qëllim që të fillojë të funksionojë, t’iu mundësohet popullatës lokale të komunikojë, por edhe të jetë mundësi alternative për vendkalimin Tabanoc-Preshevë. Këtë çështje e hapa edhe me Presidentin, Vuçiq nga i cili mora garanci se do të punohet në periudhën e ardhshme që kjo të realizohet”, theksoi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.(21.02.2021)

Por thuajse në të njejtën periudhë, presidenti serb Vuçiq ishte i rezervuar rreth hapjes së kësaj pike kufitare. Sipas tij, pavarësisht interesimit të banorëve shqiptarë por edhe kryeministrit Zaev, hapja e kësaj pike kufitare do t’i kushtonte para Serbisë, edhe pse për këtë është nënshkruar Marrëveshja mes dy vendeve dhe e njejta është ratifikuar edhe nga parlamentet e dyja vendeve.