Shkruan: Alajd Ismani
Ka bashkime që sjellin forcë, ka bashkime që sjellin vota… dhe ka bashkime që sjellin dy gjysmë-zëvendësministra.
Në bilancin politik të ASH-së pas bashkimit me VLEN-in, pyetja është e thjeshtë: çfarë fitoi dhe çfarë humbi?
Fitoi dy poste të bukura në letër: dy gjysmë-zëvendësministra, me shumë titull e shumë fotografi, por me aq pak kompetenca sa duket sikur edhe lapsi për të firmosur u është mbajtur larg. Pa ingerenca, pa të drejtë nënshkrimi… por të paktën me mundësi për të thënë: “Jam pjesë e Qeverisë.”
Pra, nga një parti që dikur synonte të kishte peshë politike, kemi arritur te matematika e re: gjysmë posti + gjysmë kompetence = sukses i plotë!
Por çmimi i këtij “suksesi” ishte shumë më i madh.
ASH-ja humbi një strukturë të tërë.
Humbi njerëz që nuk u shfaqën dje për të kërkuar karrige, por që për vite me radhë e mbajtën partinë gjallë. Humbi anëtarë të palodhur, aktivistë, njerëz që punuan kur nuk kishte poste, kur nuk kishte privilegje dhe kur askush nuk pyeste: “Çfarë do të fitoj unë?”
Dikur thuhej se partinë e ndërtonin njerëzit.
Sot duket se njerëzit u ndërtuan për partinë… ndërsa partia u bë pronë e disa posteve.
Dhe ironia më e madhe është kjo:
ASH-ja hyri në bashkim për të fituar më shumë fuqi politike, ndërsa doli me më pak strukturë, më pak autonomi dhe dy poste që mezi kanë kompetencë për të firmosur një shkresë.
Nëse ky është bilanci i bashkimit, atëherë ndoshta duhet rishkruar edhe fjalori politik:
“Bashkim” nuk qenka më bashkimi i njerëzve dhe strukturave.
Bashkim qenka kur humbet një strukturë dhe fiton një karrige.
E kur fiton dy karrige pa kompetenca, quhet triumf historik!
Por politika nuk matet vetëm me karrige.
Matet me njerëzit që të kanë besuar, me strukturat që ke ndërtuar dhe me sakrificat që ke bërë.
Dhe këtu lind pyetja që sot shumëkush në ASH duhet t’ia bëjë vetes:
A ia vlejti të humbësh një strukturë të tërë dhe një armatë anëtarësh të palodhur, vetëm për të fituar dy gjysmë-poste pa ingerenca?
Sepse në fund të fundit, posti mund të jetë i përkohshëm. Struktura humbet një herë. Besimi i njerëzve edhe më vështirë rikthehet.
Dhe ndoshta kjo është humbja më e madhe e ASH-së nga ky “bashkim”.
Jo dy poste.
Por njerëzit që dikur e quanin ASH-në shtëpinë e tyre politike dhe sot pyesin veten: kush na e mori shtëpinë dhe pse na lanë vetëm tabelën te dera?

