Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi se Qeveria do të miratojë një masë për uljen e TVSH-së për dizelin nga 18% në 10%.
Masa pritet të miratohet në mbledhjen e sotme të Qeverisë, e cila do të zhvillohet online. Vendimi vjen pasi të premten bursa e naftës u mbyll me një çmim rreth 10% më të lartë, gjë që mund të shkaktonte një rritje të konsiderueshme të çmimeve të karburanteve në vend.
Sipas Mickoskit, së bashku me uljen e akcizës, masë e miratuar më herët, ulja e TVSH-së pritet të zbusë goditjen e çmimeve.
“Do të miratojmë edhe një masë për uljen e TVSH-së për karburantin dizel nga 18% në 10%, me çka presim që, në vend të një rritjeje dramatike, të ketë ulje të çmimit të naftës. Natyrisht, kjo do të ketë implikime për buxhetin, por interesi ynë është të mbrojmë standardin e qytetarëve”, tha Mickoski.
Pra, Qeveria synon që përmes uljes së TVSH-së dhe akcizës të pengojë rritjen e madhe të çmimit të dizelit dhe, sipas pritjeve të kryeministrit, madje të mundësojë edhe uljen e çmimit të naftës për konsumatorët.

