Gjatë qëndrimit në Zvicër deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu është pritur edhe nga Arber Bullakaj, deputet në Këshillin Nacional të Zvicrës, transmeton portali Lideri.mk.

Deputetja Saliu ka shprehur kënaqësinë e saj lidhur me takimin e realizuar përmes një postimi në Facebook, të cilin në vazhdim e sjellim të plotë:

Të dashur miq, pak jashtë politikës, dua të ndaj me ju një reflektim njerëzor.

Gjatë qëndrimit tim në Wil të Zvicrës, pata mundësinë të takoj Arber Bullakaj, deputet në Këshillin Nacional të Zvicrës.

" "

Arbëri shkoi në Zvicër në moshën 8-vjeçare. Unë, përkundrazi, jam rritur në vendlindje, ndërsa familja ime ishte në mërgim që kur isha shumë e vogël. Ai e përjetoi largësinë nga vendlindja, unë e përjetova mallin për familjen.

Dy përvoja të ndryshme, por pas tyre qëndron e njëjta sakrificë,
“sakrifica e prindërve tanë”

Ata nuk shkuan në mërgim për të kërkuar një jetë më të lehtë për veten. Punuan dhe sakrifikuan, duke lënë pas familjen, vendlindjen dhe vitet më të bukura të jetës së tyre, që fëmijëve t’u jepnin atë që vetë nuk e kishin pasur. Dhe pikërisht për këtë, mbetën HERONJTË tanë të heshtur.

Sot, të rinjtë që jetojnë jashtë janë ura që lidhin brezat, familjet dhe vendet ku jetojnë me vendin nga i cili kanë ardhur prindërit e tyre, janë pikërisht ata që mund ta mbajnë gjallë gjuhën, kujtesën, kulturën dhe lidhjen me rrënjët.

Kjo është ajo që më bëri të reflektoj më shumë në këtë takim, dy njerëz, dy rrugë të ndryshme, dy besime, por një histori që në thelb ka të njëjtën sakrificë familjare.

Për këtë sakrificë, brez pas brezi, u detyrohemi shumë prindërve tanë./Lideri

sqShqip