Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me tri vjet e tetë muaj burgim për rastin e njohur si “53 milionëshi”, lidhur me pagesën shtesë ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”. Për të njëjtin rast janë dënuar edhe tre ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa vendimi është marrë pas rigjykimit të çështjes nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me tri vjet e tetë muaj burgim për rastin e njohur si “53 milionëshi”. Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka shpallur fajtor edhe tre ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha, është dënuar me tri vjet e tre muaj burgim, ndërsa ish-sekretari i Ministrisë, Nebih Shatri, dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik, Besim Tahiri, janë dënuar me nga një vit e tetë muaj burgim.
Përveç dënimeve me burgim, gjykata u ka shqiptuar të katërve edhe ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike. Për Lekajn ky ndalim është tri vjet e gjysmë, për Berishën tri vjet, ndërsa për Shatrin dhe Tahirin nga dy vjet.
Rasti lidhet me pagesën prej 53 milionë eurosh shtesë për kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ishte angazhuar për ndërtimin e autostradës Prishtinë–Han i Elezit, “Arbën Xhaferi”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kishin vepruar në kundërshtim me rekomandimet e kompanisë “Hill International”, e cila ishte angazhuar nga Ministria e Infrastrukturës për mbikëqyrjen e projektit.
Raporti i “Hill International” kishte vlerësuar se kompania punëkryese duhej të kompensohej me rreth 14 milionë euro për dëmet e shkaktuara nga mosalokimi i buxhetit sipas dinamikës së përcaktuar në kontratën bazë.
Megjithatë, sipas akuzës, ky raport nuk ishte prezantuar zyrtarisht në Qeveri dhe Ekzekutivi kishte miratuar pagesën prej 53 milionë eurosh.
Kompania “Hill International” ishte kontraktuar me kosto prej 8.7 milionë eurosh për të ofruar mbikëqyrje ligjore, financiare dhe teknike gjatë realizimit të projektit.
Të katër të akuzuarit ishin dënuar edhe më 31 janar 2024 me një total prej 10 vjetësh e tre muajsh burgim. Mirëpo, Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

