Kryetari i Gazi Babës nga radhët e VMRO-DPMNE, Boban Stefkovski, ka njoftuar se në shkollat fillore të komunës, çdo të hënë mësimi do të fillojë me intonacionin e himnit shtetëror me qëllim të edukimit të fëmijëve për ta dashur dhe Maqedoninë.
“Himni nuk është vetëm këngë. Ai është simbol i lirisë sonë, shtetësisë, historisë dhe sakrificës së gjeneratave që kanë luftuar për Maqedoninë e Pavarur. Nëpërmjet arsimit i ndërtojmë njohuritë dhe ardhmërinë e fëmijëve, por njëkohësisht i mësojmë ta respektojnë atdheun e tyre, simbolet e tyre nacionale dhe vlerat që na bashkojnë”.
Sipas të dhënave të regjistrimit të fundit të popullsisë në Komunën e Gazibabës jetojnë 69.626 banorë, 65% maqedonas, mbi 20% shqiptar dhe 15% nga komunitetet tjera. Në këtë komuna gravitojnë edhe disa shkolla ku shumica e nxënësve janë shqiptarë, megjithatë ende nuk dihet nëse do të zbatohet një vendim i tillë në të gjitha shkollat, pasi deri tani nuk është lëshuar vendimi zyrtarisht.
Në fakt, ideja për intonacionin e himnit në shkolla nuk është e re. Në vitin 2023, gjatë kohës derisa VMRO-DPMNE-ja ishte në opozitë, kryetari i saj Hristijan Mickoski inkurajoi një iniciativë të këtillë për të gjitha komunat e shtetit, për çka Komuna e Aerodromit, Gazi Babës, por edhe Butelit morën vendim për intonacionin e himnit shtetëror. Praktika e këtillë për shkurt kohë u ndërpre pasi nëpër disa shkolla u publikuan video nga nxënësit në rresht, të cilët me zë e këndonin himnin.
Kjo iniciativë nuk u mbështet nga faktori politik shqiptar, përfshirë edhe opozitën e atëhershme që më pas u shkri në VLEN. Kryetari i Lëvizjes Besa, por edhe i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami asokohe ishte kategorik se himni shtetëror nuk përfaqëson multietnicitetin e shtetit dhe për këtë në komunat me shumicë shqiptare, duhet të intonohet himni shqiptar.
“Përderisa është ky realitet, atëherë kjo nënkupton që ose të ndërrohet himni i shtetit dhe të respektojë diversitetin kulturor dhe etnik ose nëse bihet vendim kështu që është të intonohet, atëherë duhet të respektohet përkatësia multietnike e shtetit dhe e shoqërisë dhe në komunat apo lokalitetet me shumicë shqiptare si komuniteti i dytë shumicë, duhet të intonohet edhe himni shqiptar”, ka deklaruar Bilall Kasami më 25.10.2023.
Pikërisht ky qëndrim është reflektuar edhe në programin zgjedhor të VLEN-it, madje që në kapitullin e parë ku flitet për barazinë kombëtare dhe Marrëveshjen e Ohrit. VLEN ka premtuar para qytetarëve se përdorimi i himnit, stemës, flamurit kombëtar shqiptar në shkollat e në institucionet do të gëzojnë të drejtën e barabartë ligjore me atë të maqedonasve.

