Krim makabër brenda një familjeje në Klinë të Kosovës. Një vajzë ka humbur jetën pas plagëve të marra nga zjarri që dyshohet se ndezi vëllai i saj në shtëpi. Ndërsa nëna e saj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Vëllai, i akuzuar se ka sulmuar motrën dhe nënën, është arrestuar pas ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, i dyshuari dyshohet se i ka vënë flakën shtratit ku ndodhej motra e tij. Pas kësaj, ai dyshohet se ka kaluar në një ambient tjetër të banesës, ku ka sulmuar nënën me një mjet të fortë.
Të dyja gratë kanë pësuar dëmtime të rënda dhe fillimisht janë transportuar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës. Për shkak të gjendjes së tyre, ato më pas janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, vajza nuk ka mundur të mbijetojë. Policia ka konfirmuar se vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor pasi ajo kishte marrë plagë të rënda si pasojë e zjarrit.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë efektivët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit.
Autori dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor./

