Maqedoni

Bekteshi mbështet ndërrimet në TEC Manastiri dhe TEC Osllomeji

EMV ka shkarkuar drejtorët e TEC Manastirit dhe TEC Osllomejit. Në vend të drejtorit të TEC Manastirit, Zllatko Kjurçievski, si ushtrues detyre drejtor u emërua Pece Matevski.

Ai vjen nga posti i drejtorit të termocentralit. Në TEC Osllomej, ndërkaq, në vend të të shkarkuarit Zlatko Piperkoski, ushtrues i detyrës drejtor është emëruar Stojan Ickoski, i cili ishte drejtor teknik aktual në “Minierat”.

Ndërrimi i drejtorëve të kompanive shtetërore energjetike është vendim i Bordit Drejtues të EMV-së. Në njoftimin për publikun nuk sqarohen shkaqet për ndryshimet, megjithatë këto ndryshime kadrovike u paralajmëruan pas defekteve të shpeshta në blloqet e TEC Manastirit, dhe startin e vonuar me punë të TEC Osllomej. EMV njoftoi se ndryshimet kadrovike do të vazhdojnë.

“Në ditët në vijim do të bëhen edhe ndryshime të tjera kadrovike brenda kombinateve, me qëllim të përmirësimit të procesit të prodhimit dhe përballjes me krizën energjetike”, thonë EMV.

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka njoftuar në profilin e tij në Facebook se i jep mbështetje të plotë vendimeve për shkarkimin e drejtorëve të TEC Manastirit dhe TEC Osllomej. Bekteshi ka thënë se institucioni që ai drejton kërkon në vazhdimësi menaxhim të përgjegjshëm, të drejtë dhe profesional të institucioneve.

“Nuk do të ketë rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike nga janari i vitit të ardhshëm. Nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike”, tha Kreshnik Bekteshi- ministër i ekonomisë.

Ndërsa pas informatës se EVN Home e vazhdoi tenderin për sigurimin e energjisë elektrike për nevojat e amvisërive, nga 25 nëntori për në 2 dhjetor, nga kompania shtetërore thonë se ende po punojnë në përllogaritjet.

“SH.A EMV e harton planin për prodhimtari dhe planin financiarë për vitin 2022 në bazë të cilëve do të formojë përllogaritjen e vet për çmim e cila deri në fund të muajit do e dërgojë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga EMV.

Nga 900 mijë tonelatat e nevojshme të qymyrit për momentin shteti ka siguruar vetëm 90 mijë ton nga Shqipëria. Për sasitë e tjera do të shpallen tenderë të tjerë sepse në dy të mëparshmit nuk janë ofruar sasi me cilësi të mirë dhe me çmim të përshtatshëm. Nga raporti i energjisë së prodhuar vendore dhe ajo e importuar do varet sa do rritet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët në vitin e ardhshëm. / Alsat.mk