Rinia jonë nuk po ikën sepse nuk e do vendlindjen. Po ikën sepse vendlindja nuk po i jep atë që meriton.
Etem Xheladini
Para dy vitesh, pas pjesëmarrjes në një simpozium në Gjermani, vendosa të ndërmarr një udhëtim studimor për të parë nga afër se sa janë integruar shqiptarët, veçanërisht të rinjtë, në shoqëritë evropiane ku po migrojnë në përmasa gjithnjë e më të mëdha. Por ajo që pashë gjatë dhjetë ditëve në Slloveni, Austri, Gjermani dhe Zvicër, më bëri të mendoj për një realitet edhe më të madh.
Rinia shqiptare është e aftë, është e arsimuar, është profesionale, është konkurruese. Dhe, kur i jepet mundësia, ajo arrin majat. Në Cyrih takuam shqiptarë që drejtonin biznese e kompani, menaxhonin markete, fabrika dhe ndërmarrje të mëdha. Takuam menaxherin e një marketi me renome në Cyrih, po ashtu takuam edhe një menaxher në një fabrikë të prodhimit të gypave dhe produkteve metalike në Regensdorf. Njëherazi, takuam të rinj, njëri ishte specializuar në robotikë dhe ishte i angazhuar në kontrollin e makinerive në rajonin industrial nga Cyrihu deri në Bernë, ndërsa tjetri, inxhinier i shkencave kompjuterike, ishte përgjegjës për rrjetin e administratës në një spital në Bülach. Po ashtu, takuam një djalë të mrekullueshëm, i cili menaxhonte me sukses në sektorin tregtar. Takuam edhe gra shqiptare të integruara në profesione të ndryshme në farmaci, si dhe kuadro shqiptare në shëndetësi.
Një rast që më bëri përshtypje ishte angazhimi i një profesionisti në sektorin e hotelerisë, i cili punonte me përgjegjësi të lartë në sektorin teknik të një prej hoteleve prestigjioze të Zvicrës. Por ajo që më bëri edhe më kureshtar ishte fakti se sot një gjeneratë e re po depërton edhe në administratë, drejtësi dhe politikë. Ata kishin depërtuar në zyrat e avokatëve, në pushtetin lokal e qendror në Cyrih e më gjerë, në Zvicër, Gjermani, Austri, por edhe në shtetet e tjera që vizituam. E gjithë kjo të bën të ndalesh dhe të pyesësh: Nëse këta njerëz mund të drejtojnë kompani, fabrika, sisteme teknologjike, spitale dhe struktura juridike e politike në Evropë, pse nuk po u krijojmë mundësi të njëjta në vendlindje, kudo në trojet etnike shqiptare. Këtu qëndron tragjedia jonë, nuk kemi mungesë kuadrosh, kemi mungesë vizioni. Nuk kemi mungesë të rinjsh të aftë, kemi mungesë të politikave që i mbajnë ata këtu.
Çdo i ri që largohet nuk është vetëm një biletë avioni. Është një investim i humbur, është një profesionist më pak, është një familje më pak, është një ide më pak. Është një mjek, inxhinier, jurist, profesor, programues apo sipërmarrës që nesër mund të ndërtonte vendlindjen, por po e ndërton një vend tjetër. Dhe ndërsa Evropa po i hap dyert për kuadrot tona, trojet shqiptare po zbrazen. Ky është paradoksi më i dhimbshëm. Ata që jashtë vendit vlerësohen për dijen, këtu shpesh përballen me politizim, nepotizëm, papunësi, nënvlerësim dhe mungesë perspektive.
Pastaj pyesim: “Pse po ikën rinia?” Përgjigjja është para syve tanë. Rinia nuk po ikën nga vendlindja, nga mungesa e shpresës. Dhe, nëse vazhdojmë kështu, një ditë nuk do të kemi nevojë të pyesim ku shkoi rinia. Do ta shohim vendlindjen bosh, shkollat pa nxënës, fshatrat pa të rinj, qytetet pa energjinë e brezit të ri, institucionet pa kuadro.
Atëherë do të jetë tepër vonë. Prandaj, kjo nuk është vetëm çështje emigrimi, është çështje e mbijetesës demografike, ekonomike dhe shoqërore të trojeve tona. Sepse një shtet mund të ndërtojë rrugë, ura dhe ndërtesa, por pa njerëz të aftë, pa rini dhe pa shpresë, asnjë ndërtesë nuk e ndërton të ardhmen.
EVROPA PO I MERR KUADROT TONA. VENDLINDJA PO HUMB NJERËZIT E SAJ MË TË MIRË. PYETJA ËSHTË, KUSH DO TË MBETET TA NDËRTOJË TË ARDHMEN TONË.
Koha për të reaguar nuk është nesër., është sot.

