Para 17 vitesh, në një realitet mediatik që po përjetonte ndryshime të mëdha ishte e nevojës të hapet një dritare e re informimi për opinionin publik, e morëm këtë guxim dhe përgjegjësi e nisëm këtë mision me Agjencinë e Lajmeve Zhurnal. E filluam me gazetë të shtypit me vizionin e qartë për të qenë burim i besueshëm informacioni, për të ndriçuar zhvillimet politike, ekonomike, kulturore e shoqërore, dhe për të qenë pranë lexuesve me profesionalizëm e integritet. Me zhvillimin e hovshëm teknologjik, kalimi nga shtypi në arenën online ishte i natyrshëm por edhe i domodoshëm që të jemi sa më afër lexuesit në çdo kohë. Falë besnikërisë së lexuesve tanë, sot me krenari kremtojmë 17 vjetorin e dritares sonë stoike mediatike, një zë që nuk u ndal asnjëherë e do të vazhdojë përherë.
Rrugëtimi i Zhurnal-it
Zhurnal lindi si gazetë e shtypit që gjendej në duart e deputetëve, ministrave, profesorëve, studentëve dhe qytetarëve me integritet. Që nga fillimi, vizioni ishte i qartë të jemi burim i besueshëm informacioni dhe të sjellim thjeshtësi në pasqyrimin e zhvillimeve politike, ekonomike, kulturore e shoqërore.
Me kalimin e kohës, teknologjia ndryshoi mënyrën e informimit. Zhurnal, duke ndjerë dominimin e epokës digjitale, bëri hapin e guximshëm nga një gazetë e shtypit u shndërrua në medium online, duke vendosur lajmin në duart e publikut në kohë reale, kudo dhe në çdo moment. Ky transformim ishte dëshmi se Zhurnal ecën në hap me kohën, pa e humbur misionin e vet informues.
Media si oksigjen i lirisë
Në një shoqëri demokratike, media është oksigjeni i lirisë. Pa një media të lirë dhe të përgjegjshme, qytetari mbetet i verbër, ndërsa demokracia e cunguar. Për 17 vite, Zhurnal ka qenë zë kritik dhe i pandalur duke sjellë jo vetëm lajmin, por edhe analizën e editorialin dy herë brenda ditës si dy shtylla për përforcimin e mendimit kritik tek opinioni publik.
Zhurnal ka qenë pjesë e pandashme e procesit të demokratizimit të shoqërisë dhe forcimit të institucioneve, duke ngritur çështje dhe hapur debate të nevojshme.
Lexuesit shtytja jonë më e madhe
Ky rrugëtim nuk do të kishte kuptim pa lexuesit tanë besnikë. Për 17 vite ata kanë ndjekur, lexuar dhe shpërndarë fjalën tonë. Çdo klikim, çdo koment, çdo faqe e hapur ka qenë energji dhe motivim për të mos u ndalur kurrë.
E tani, në këtë përvjetor të rëndësishëm e themi me krenari se Zhurnal është dhe do të mbetet një zë i pandalshëm. Një zë që nuk u përkul para sfidave, një zë që zgjedhi rrugën e së vërtetës dhe që do të vazhdojë të ecë përpara me të njëjtin përkushtim dhe mision.
Faleminderit që keni qenë dhe mbeteni pjesë e këtij rrugëtimi! Vazhdojmë bashkë drejt dekadave të reja!

