Ejup Berisha
Në vitin 2026, politika e jashtme e SHBA-së po zhvillohet brenda një konteksti tejet kompleks ndërkombëtar, të shënuar nga luftërat, rivalitetet e fuqive të mëdha, kriza e multilateralizmit dhe transformimi i rendit botëror. Shtetet e Bashkuara mbeten një nga fuqitë kryesore në botë dhe kërkojnë të ruajnë udhëheqjen e tyre ndërkombëtar, interesat strategjike dhe ndikimin politik, ekonomik dhe ushtarak. Parimi kryesor i politikës amerikane është “Amerika e para”. Kjo do të thotë që vendimet e Vashingtonit duhet ti mbrojnë kryesisht interesat kombëtare amerikane. Prandaj, politika e jashtme është e lidhur ngushtë me sigurinë kombëtare, ekonominë, tregtinë ndërkombëtare, energjinë, teknologjinë dhe mbrojtjen.
Diplomaci e Bazuar në barazpeshimin e Fuqisë
Diplomacia e tanishme amerikane i kushton rëndësi të madhe barazpeshimit të fuqisë. Uashingtoni i konsideron aftësitë ushtarake, fuqinë ekonomike, sanksionet, tarifat dhe ndikimin diplomatik si instrumente për mbrojtjen e interesave amerikane. Megjithatë, fuqia nuk e zëvendëson diplomacinë. Shtetet e Bashkuara gjithashtu përdorin bisedime, kontakte të drejtpërdrejta, ndërmjetësim, aleanca dhe diskutime dypalëshe për të provuar zgjidhje krizash. Prandaj mund të flasim për një diplomaci që e kombinon presionin dhe bisedimet duke ushtruar presion ndaj kundërshtarëve, për të lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje.
Marrëdhëniet me Rusinë
Rusia paraqet ende një problem të madh strategjik për Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë. Vashingtoni kërkon të ruajë presionin mbi Moskën, por dhe gjithashtu i eksploron mundësitë për bisedime për zgjidhje politike të konfliktit. Diplomacia amerikane duhet të gjejë një barazpeshë midis parandalimit, mbështetjes për aleatët, sanksioneve ekonomike dhe ndjekjes së një zgjidhjeje diplomatike.
Lindja e Mesme
Lindja e Mesme mbetet gjithashtu një përparësi e politikës së jashtme amerikane. Konfliktet rajonale, marrëdhëniet me Izraelin, Iranin, shtetet arabe dhe çështja e sigurisë energjetike i japin Uashingtonit një rol tejet të rëndësishëm. Diplomacia amerikane kërkon të parandalojë përshkallëzimin rajonal që mund të shkaktojë një konflikt shumë më të gjerë. Ajo gjithashtu duhet të mbrojë interesat amerikane dhe rrjedhën ndërkombëtare të energjisë dhe tregtisë.
Kina sfidë strategjike për SHBA-në
Kina përfaqëson një nga sfidat kryesore strategjike për SHBA-në. Konkurenca përfshin ekonominë, teknologjitë e reja, tregtinë, inteligjencën artificiale, zinxhirët e furnizimit, ndikimin diplomatik dhe fuqinë ushtarake.
Prandaj, Vashingtoni kërkon të përmbajë rreziqe të caktuara kineze, duke shmangur një përballje të drejtpërdrejtë midis dy fuqive të mëdha. Kjo është një politikë konkurence strategjike, por dhe dialogu, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Kina mbeten të lidhura ngushtë ekonomikisht dhe ndërkombëtarisht.
Marrëdhëniet me Evropën dhe NATO-n
Marrëdhëniet me Evropën mbeten themelore por dhe NATO është ende një element thelbësor i sigurisë transatlantike. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë gjithnjë e më shumë që evropianët të marrin përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe të rrisin aftësitë e tyre ushtarake. Kjo situatë i inkurajon evropianët të zhvillojnë autonomi strategjike, domethënë aftësinë e Evropës për të vepruar më në mënyrë të pavarur në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë.
Multilateralizmi
Diplomacia amerikane në vitin 2026 ngre gjithashtu një pyetje të rëndësishme në lidhje me multilateralizmin. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të marrin pjesë në institucione të mëdha ndërkombëtare, por Vashingtoni shpesh i favorizon bisedimet dhe marrëveshjet e drejtpërdrejta që përputhen qartë me interesat amerikane. Kjo krijon tension midis dy vizioneve me multilateralizmin, të bazuar në bashkëpunimin midis disa shteteve, bilateralizmin dhe bisedimeve të drejtpërdrejtë, të cilat u lejojnë Shteteve të Bashkuara ta ushtrojnë ndikimin e tyre më lehtë.
Bilateralizmi i SHBA-së në vitin 2026
Ky bazohet në marrëdhënie të drejtpërdrejta midis SHBA-së dhe shteteve individuale. Thekset e tij kryesore janë interesi kombëtar, siguria, tregtia, tarifat, partneritetet strategjike, negociatat, presioni ekonomik, teknologjia, mbrojtja dhe reciprociteti. Amerika kërkon rezultate konkrete përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta dhe bisedimeve të forta me secilin vend.
Sfidat dhe perspektivat
Në vitin 2026, Shtetet e Bashkuara pritet të ndjekin një politikë të jashtme më pragmatike dhe strategjike. Diplomacia amerikane do të përqendrohet kryesisht në mbrojtjen e interesave kombëtare të SHBA-së, forcimin e ndikimit të saj global dhe bisedimit të drejtpërdrejtë me fuqitë e tjera të mëdha. Diplomacia amerikane në vitin 2026 ka të ngjarë të jetë e fortë, pragmatike, e bazuar në interesa dhe në transakcione.

