Kompozitori dhe këngëtari i njohur dibran dhe mbarëkombëtar, Haxhi Maqellara, pas dhunës psikike që përjetoi nga autoritetet e ish-Jugosllavisë për shkak të daljes në dritë të këngëve të tij patriotike në vitet e ’80-ta, emigroi në SHBA. Pas largimit nga vendlindja, Dibra, ai dha një kontribut shumë të madh në Amerikë për diasporën shqiptare, veçmas sa i takon ruajtjes së traditave dibrane në dasmat dibrane, të cilat, sipas tij, kanë një rol shumë të madh në ruajtjen e traditave kombëtare në diasporë.

Normalisht, autori dhe këngëtari i këngëve “Nusja e maleve kreshnike”, “Kënga e Ganimetes”, “Lulkuqja e Kosovës”, “Moj Shqipni”, “Jo, kurrë nuk mposhtet Kosova”, “Faleminderit moj Tiranë” e shumë e shumë të tjera, vazhdon edhe sot të kompozojë dhe këndojë këngë për kombin dhe Shqipërinë.

Këto ditë takuam Haxhi Maqellarën në Dibër dhe biseduam rreth viteve para emigrimit, si dhe angazhimit të tij kombëtar në Amerikë. Ai për gazetën KOHA tha se ka emigruar në Amerikë në vitin 1988. “Shërbimet jugosllave, pasi këndova këngët kushtuar Kosovës, të cilat me të madhe këndoheshin nga studentët kosovarë, por jo vetëm, filluan me tortura psikike. Pyetnin nëse ndokush m’i sillte këngët nga Tirana dhe m’u konfiskuan shumë libra nga biblioteka familjare. Nga dita në ditë presioni psikik rritej. Policia dhe autoritetet lokale merreshin me mua, por edhe me familjen time. U ndaluan për t’u transmetuar të gjitha hitet e mia, si në radio, ashtu edhe në televizion, dhe unë vendosa të braktis vendlindjen. Në SHBA, shumë shpejt mora edhe azilin politik. Gazetat e Beogradit kishin shumë shkrime për ndikimin tim me këngët e mia te rinia kosovare, gjë që si informatë e kishin edhe autoritetet amerikane”, na tha Maqellara.

" "

Haxhiu na rrëfeu edhe angazhimin e tij si koreograf. “Pasi arrita në Amerikë dhe kisha një përvojë muzikore në shoqëritë kulturo-artistike ‘Liman Kaba’ nga Dibra dhe ‘Ibe Palikuqi’ në Shkup, meqë në ish-Jugosllavi isha koreografi i parë shqiptar me licencë, fillova që të angazhohem me ansamblet shqiptare në SHBA, sidomos në drejtim të respektimit të traditave dasmore”, tha Maqellara.

Suksesi u arrit shumë shpejt, tha ai. “Ja, arrita qëllimin dhe dasmat dibrane në Amerikë filluan të realizohen pikërisht ashtu siç bëhen në vendlindje. Dasma dibrane ka rregullat e veta dhe paraqet një traditë kombëtare me shumë vlera. Së bashku me muzikantët dibranë, por jo vetëm, vendosëm rregullat e një dasme tipike dibrane. Një kontribut të madh dha edhe Agim Krajka. Në dasmat dibrane sot nuk këndohen këngë tallava. Atje këndoj shpesh edhe me vëllain tim Agronin, por edhe me këngëtarët dhe muzikantët e mirënjohur Aurela Gaçe, Parashqevi Simaku, Eli Fara, Merita Halili, Irma dhe Eranda Libohova, Valbona Mema, Raif Hyseni, Zini Borova e të tjerë”, u shpreh ai.

Bilbili i Dibrës dhe krenaria e Dibrës, Haxhi Maqellara, ka marrë mirënjohje të shumta për kontributin e tij si artist në nivel kombëtar. Ai veçmas potencon shpërblimin “Mirënjohje e qytetit të Tiranës”, që iu dha në Tiranë, në Sallën e Kongreseve. “Kjo ndodhi pasi këndova tri këngët për Tiranën, mes të cilave edhe kënga ‘Faleminderit moj Tiranë’, në prani të Sali Berishës, Ilir Metës, Bamir Topit dhe para afro 4 mijë vetëve”, tha Haxhiu.

Pastaj shtoi se një mirënjohje me shumë domethënie ka marrë edhe në Peshkopi, Dibra e Vogël. Mirënjohja “Qytetar nderi i kulturës dibrane” është një respekt kombëtar. “Kufijtë nuk mund ta ndajnë folklorin dibran. Ai është një”, na tha bashkëbiseduesi ynë.

Dhe, normalisht, me plot emocione, Haxhiu flet edhe për mirënjohjen “Qytetar nderi i Dibrës”, që ia ndau Komuna e Dibrës. “Mirënjohja e vendlindjes është një përkrahje dhe respekt për gjithë atë që kam bërë deri tani si kompozitor, këngëtar, koreograf dhe, normalisht, si aktivist në diasporë”, u shpreh mes tjerash Maqellara.

Haxhi Maqellara, i cili është anëtar i një familjeje të madhe artistësh, në SHBA ka dhënë dhe jep një kontribut të madh edhe në organizimin e dibranëve, por jo vetëm. Është një nga themeluesit e shoqatës dibrane në Nju Jork. “Sot dibranët e Amerikës janë shumë të fuqishëm ekonomikisht dhe japin një kontribut të madh për vendlindjen. Por nevojitet një bashkëpunim më i madh me pushtetin vendor në Dibër, meqë vetëm në SHBA ka afër 20 mijë dibranë. Jam mik i ngushtë i lobistit shqiptar Diogardi. Ai ka të drejtë kur thotë se ka nevojë që diaspora dibrane të formojë një fond për vendlindjen.”

Haxhiu dhe bashkëshortja e tij, Fatbardha, e cila është poete, si dhe tre fëmijët e tyre, shpeshherë vijnë në vendlindje. Ata thonë se do të vazhdojnë të japin kontribut për dibranët dhe mbarë kombin shqiptar, ashtu siç kanë dhënë deri sot. Në fund të bisedës, Haxhiu na tha se aktualisht është duke përgatitur projektin e ri muzikor “Amaneti”, duke shtuar se është një projekt i fuqishëm muzikor dhe kombëtar. (koha.mk)

sqShqip