Prokuroria speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj analistit dhe gazetarit Fatmir Sheholli i cili akuzohet për veprat penale “spiunazh” dhe “shantazh”.
Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se është rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë (BIA) dhe se, nën udhëzimet e zyrtarëve të këtij shërbimi, ka mbledhur dhe përcjellë informacione që lidhen me aktivitetet politike, sigurinë dhe institucionet e Kosovës, njofton Tema.mk.
Në këtë zhvillim, në hapësirën publike po rikthehen edhe disa nga deklaratat e mëhershme të Shehollit për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, të cilin ai e kishte cilësuar publikisht si “atdhetar” dhe figurë patriotike.
Kontrasti mes këtyre deklaratave dhe akuzave të ngritura tash nga Prokuroria speciale e Kosovës ka nxitur reagime dhe pikëpyetje të reja në opinion.
Aktakuza përfshin edhe pretendime për shantazh, ku sipas Prokurorisë, Sheholli dyshohet se ka kërkuar përfitim material nga një person.
Rasti tashmë është në duart e drejtësisë, ndërsa pretendimet e përfshira në aktakuzë mbeten për t’u vërtetuar në procedurën gjyqësore.

