Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me akuza të reja ndaj koalicionit VLEN, duke pretenduar se procesi i paralajmëruar për bashkimin e subjekteve politike që e përbëjnë këtë koalicion nuk është realizuar në praktikë.
Në kumtesën e saj, BDI thekson se edhe partia Alternativa vazhdon të figurojë si subjekt politik aktiv në Regjistrin Qendror.
Sipas BDI-së, dokumentet zyrtare tregojnë gjithashtu një ndryshim në drejtimin e kësaj partie, për të cilin, siç pretendohet në reagim, nuk është informuar publikisht anëtarësia dhe opinioni.
“Sipas të dhënave në Regjistrin Qendror, kryetar i Alternativës figuron Zekirija Berisha, shef i kabinetit të ministrit Bekim Sali”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Nga kjo parti opozitare shtrojnë disa pyetje lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Berishës në krye të Alternativës dhe procedurat e ndjekura për këtë ndryshim.
“Kur është zgjedhur Zekirija Berisha kryetar? Cili organ partiak e ka marrë këtë vendim? Pse ndryshimi është mbajtur i fshehtë? A e dinë anëtarët e Alternativës se kush e drejton juridikisht partinë e tyre?”, pyesin nga BDI.
Sipas tyre, bëhet fjalë për një rast, të cilin e cilësojnë si skandaloz, pasi një parti politike, sipas pretendimeve të tyre, ka ndryshuar drejtuesin në dokumentet zyrtare pa e bërë publik këtë ndryshim.
BDI pretendon gjithashtu se subjektet që përbëjnë VLEN-in vazhdojnë të ekzistojnë si parti të veçanta, pavarësisht paralajmërimeve për bashkim në një subjekt të vetëm politik.
“BESA vazhdon të ekzistojë me Bilall Kasamin kryetar. Alternativa vazhdon të ekzistojë me Zekirija Berishën kryetar. Të ashtuquajturën ‘shkrirje’ e kanë vetëm për konferenca dhe propagandë”, thuhet në reagim.
Në fund të kumtesës, BDI vlerëson se partitë, drejtuesit dhe strukturat e subjekteve që përbëjnë VLEN-in vazhdojnë të funksionojnë veçmas, duke e cilësuar gjithë procesin e bashkimit si një mashtrim politik.
“Partitë, kryetarët, vulat dhe interesat vazhdojnë veçmas. S’VLEN-i është mashtrim nga themeli deri në majë”, përfundon reagimi i Bashkimit Demokratik për Integrim.

