Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas manifestimit të organizuar dje në Pustec nga VMRO-DPMNE, në të cilin ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, por ku nuk u intonua himni kombëtar shqiptar, shkruan gazeta KOHA. Përmes një reagimi në rrjetin social X, Rama e cilësoi ngjarjen si një “parodi domethënëse” që dëshmon për botëkuptimet e ndryshme në rajon, ndërsa bëri të ditur se kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kishte kërkuar paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar, por kërkesa e tij ishte injoruar.
Sipas kryeministrit shqiptar, Kolefski kërkoi më pas ndjesë për një faj që nuk i takonte dhe, përmes këtij veprimi, dëshmoi se është një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë evropiane.
“Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës.
Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën”, shkroi Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria e ka nderuar komunitetin maqedonas duke i garantuar Pustecit statusin e posaçëm të një bashkie më vete. Ai nënvizoi se për shtetin shqiptar minoritetet përfaqësojnë pasuri kombëtare dhe se pjesëtarët e tyre gëzojnë të njëjtat të drejta dhe liri si të gjithë qytetarët e tjerë.
“Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne”, theksoi ai.
Në vijim, Rama përdori tone të ashpra ndaj organizatorëve dhe mbështetësve të manifestimeve të tilla, duke i krahasuar me “trupat e cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik”. Ai theksoi se ngjarje të tilla nuk e cenojnë sovranitetin e Shqipërisë dhe as ekuilibrat e jetës politike në vend.
“Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo ‘diasporë’ të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund”, deklaroi kryeministri shqiptar.
Në përmbyllje, Rama shprehu keqardhje për sponsorët e asaj që e quajti “cirku i lashtë i flamujve”, ndërsa iu përgjigj edhe zërave që kërkojnë reagim të njëjtë ndaj provokimeve të tilla. Sipas tij, Shqipëria nuk do të pranojë t’i ulë vlerat e saj në nivelin e asaj që ndodhi në Pustec.
“Gjithësesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorëve të këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, përfundoi Rama.
Manifestimi në Pustec, i organizuar nga VMRO-DPMNE me pjesëmarrjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nxiti reagime pasi në territorin e Shqipërisë u intonua himni maqedonas, ndërsa himni kombëtar shqiptar mungoi. (koha.mk)

