VMRO-DPMNE iu përgjigj LSDM-së me akuza të ngjashme, duke e quajtur partinë opozitare autore të një konstruksioni të ri politik dhe të panikut të pakontrolluar me pretendime, të pambështetura në fakte
Ersan PAJAZITI
Shkup, 19 gusht – Vizita e kryeministrit Hristijan Mickoski në Gostivar u bë shkas për një përplasje të re verbale mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE, në kohën kur qyteti sapo kishte dalë nga një krizë pesëjavore e ujit që la mbi 5.000 banorë të sëmurë.
LSDM akuzoi kryeministrin dhe partinë e tij se kanë shkuar në Gostivar për të “festuar”, ndërsa qyteti, sipas opozitës, ende përballej me pasojat e krizës. “Çfarë festuan? Helmimin? 22 ditë ujë me fekale? Pesë javë pa dokument për analizën e cilësisë së ujit?”, thuhet në reagimin e LSDM-së. Partia shkoi më tej duke thënë se Mickoski nuk ka asnjë grimcë morali dhe se ai feston aty ku njerëzit shtriheshin nëpër spitale dhe fotografohet aty ku fshihen analizat. LSDM kujtoi premtimin e kryeministrit se ‘Gostivari nuk do të harrohet’ dhe e kundërshtoi me fjalinë: Gostivari nuk harron. Qytetarët nuk harrojnë. Mickoski tha se Gostivari nuk do të harrohet. E të gjithë shkuan në pushime në mes të helmimit dhe epidemisë. Por ‘ekskursioni shkencor-arsimor’ nuk mund të priste. Ky është raporti i kësaj qeverie ndaj qytetarëve. Festojnë atje ku njerëzit përfunduan në spitale. Fotografohen atje ku fshihen analizat. Premtuan se nuk do ta harrojnë por harruan sapo u hap mundësia për udhëtim”, theksojnë social-demokratët.
VMRO-DPMNE iu përgjigj LSDM-së me akuza të ngjashme, duke e quajtur partinë opozitare autore të një konstruksioni të ri politik dhe të panikut të pakontrolluar me pretendime, sipas VMRO-DPMNE, të pambështetura në fakte. “Kur faktet nuk u përshtaten, LSDM krijon një histori të re. Kur dështon një konstruksion, vjen një tjetër”, thuhet në reagimin e partisë në pushtet. VMRO-DPMNE kërkoi nga LSDM të tregojë ku ishte partia kur qytetarët e Gostivarit kishin nevojë për ndihmë konkrete, përse nuk siguroi asnjë paketë uji dhe përse nuk kërkoi llogari nga kryetari i komunës, Valbon Limani, të cilin, sipas VMRO-DPMNE, LSDM e kishte mbështetur në zgjedhjet e fundit. Në të njëjtin reagim u përmend edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, të cilin VMRO-DPMNE e akuzoi se “shijon pushimet e zgjatura me Zoran Zaevin në jahtin me vlerë miliona në Paluri. “Maqedonisë nuk i duhet një opozitë që paaftësinë dhe mungesën e ideve të saj dëshiron t’i fshehë përmes krijimit të kaosit, panikut dhe frikës, por qytetarëve u duhen punë, stabilitet dhe rezultate konkrete për një jetë më të mirë. Përballë kaosit të mbetjeve të LSDM-së, VMRO-DPMNE-ja do të vazhdojë t’u përgjigjet përpjekjeve për manipulime politike me fakte, punë konkrete dhe rezultate, dhe këtë qytetarët e shohin shumë mirë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Përplasja politike vjen pas një krize që zgjati pesë javë dhe që tashmë është objekt hetimi nga Prokuroria. Sipas kronologjisë zyrtare, problemi filloi në fund të qershorit, kur në rrjetin e ujësjellësit të Gostivarit u zbuluan pompa të vendosura pa leje, përmes të cilave dyshohet se u përzie ujë sipërfaqësor nga lumi Vardar me ujin e sistemit publik. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ndaloi përdorimin e ujit për pije, ndërsa më 19 korrik Qendra për Shëndet Publik në Tetovë shpalli zyrtarisht epidemi gastrointestinale në territorin e komunës. Në kuadër të hetimit u arrestuan tre drejtues të NP “Komunalec”.
Uji u lejua përsëri për konsum më 14 gusht, pasi analizat e Institutit të Shëndetit Publik dhe të laboratorit të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” të Shkupit rezultuan të kënaqshme për mostrat e marra nga shtatë pikat matëse të rrjetit. Ndalesa e mëparshme lidhej me praninë e bakteries Pseudomonas aeruginosa, e cila mund të shkaktojë infeksione të lëkurës, syve, veshëve dhe traktit urinar, si dhe me nivele të larta klori rezidual të konstatuara në disa mostra.
Pavarësisht rikthimit të ujit, LSDM vazhdoi presionin edhe pas 14 gushtit. Në një konferencë të mbajtur më 17 gusht, partia kërkoi publikimin e një dokumenti zyrtar që të tregojë saktësisht cili institucion e ka kryer analizën përfundimtare, cilat kanë qenë rezultatet konkrete për secilën nga shtatë pikat matëse, dhe kush e ka nënshkruar raportin duke garantuar personalisht se uji është i sigurt. “Qytetarët e Gostivarit që kanë pirë ujë të kontaminuar për pesë javë, ku ka mbi 5.000 të sëmurë, nuk e meritojnë këtë lloj trajtimi”, deklaroi LSDM.
Kryeministri Mickoski, nga ana e vet, ka deklaruar më parë në Kuvend se gjatë kohës kur Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë, rreth 400 analiza kishin treguar prani ndotjeje në disa sisteme të tjera të furnizimit me ujë në vend, dhe kërkoi që edhe këto raste t’i hetojë Prokuroria. Çështje të ngjashme janë hapur ndërkohë edhe në komuna të tjera. Në Demir Kapi, ndërmarrja komunale “Boshava” vendosi më 14 gusht ndalim të plotë të përdorimit të ujit për pije, pas rezultatesh laboratorike kontradiktore nga i njëjti vendmatje. LSDM njoftoi gjithashtu se në një çezmë publike me ujë mineral në Krivogashtan janë konstatuar Escherichia coli dhe Pseudomonas aeruginosa.
Informacione të ndryshme nëpër rrjete sociale u përhapën edhe për ujin në Shkup, ndërsa NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” i Shkupit i mohoi këto pretendime për ujin e kryeqytetit, duke njoftuar se do t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme kundër atyre që, sipas ndërmarrjes, përhapin lajme të rreme. (koha.mk)

