Në BDI po luhen lojëra të dyfishta?
Intriganti Ahmeti po përpiqet ta thellojë përplasjen mes Artanit dhe Bujarit, duke e paraqitur me mjeshtëri Osmanin si fajtor për qëndrimin e BDI-së ndaj aktakuzës për “Lotarinë Shtetërore”, pretendon koalicioni VLEN, duke shtuar se në BDI po luhen lojëra të dyfishta për shkak të frikës nga ajo që mund të zbulojë Artan Grubi, gjatë procesit gjyqësor që pritet të zhvillohet.
“Ahmeti i përjetshëm sërish po luan lojën e vjetër të dyfishtë. Nga njëra anë, gjoja po e shpëton Artanin nga paraburgimi, ndërsa nga ana tjetër, përmes Artanit po i kurdis një kurth Bujarit”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
“Prej kohësh përflitet se Bujar Osmani, pas dyerve të mbyllura, po përcjell mesazhin se Aliu duhet të tërhiqet që BDI-ja të bëhet sërish opozitë konkurruese. Ndërsa Bujari, natyrisht, po pret në start për të sulmuar drejt kolltukut në Reçicë të Vogël.
Prandaj, nuk është aspak e rastësishme që Ahmeti sërish e nxori në skenë trukun e vjetër me tërheqjen. Gjoja, ai dëshiron të largohet, por njerëzit përreth tij nuk e lejojnë.
Intriganti Ahmeti po përpiqet ta thellojë përplasjen mes Artanit dhe Bujarit, duke e drejtuar me mjeshtëri gishtin nga Osmani, si fajtor për qëndrimin e BDI-së ndaj aktakuzës për ‘Lotarinë Shtetërore’.”
Thjesht, në BDI po zien.
Artani, përmes mbështetësve të tij besnikë, tashmë po dërgon mesazhe publike. Me sa duket, po i bëhet e qartë se “të vetët” e kanë lënë në baltë. Deri dje i thoshin “shef”, “vëlla” dhe “king”, ndërsa sot të gjithë kanë tërhequr frenat dhe bëjnë sikur nuk e njohin.
Tani topi është te Artani. Nga ajo që ai, si “kutia e zezë” e BDI-së, do të thotë para organeve të drejtësisë, mund të varet fati i tërë udhëheqjes së pareformuar të partisë.
Prandaj, në Reçicë të Vogël nuk flenë të qetë. Disa kanë frikë nga ajo që di Artani, të tjerë nga ajo që mund të thotë, ndërsa të tretët tashmë llogarisin se kë do ta tërheqë me vete. BDI-ja prej kohësh nuk funksionon vetëm si byro politike, por si një bandë politike, interesi kryesor i së cilës janë tenderët dhe shpëtimi i lëkurës së vet.
Të drejtat e shqiptarëve janë vetëm një “alibi e përsosur” për këtë udhëheqje të pareformuar të BDI-së, qëllimi i vetëm i së cilës është të mbrojë pasurinë e krijuar përmes korrupsionit dhe hajdutërisë”, thuhet në reagimin e VLEN-it. (*plusinfo.mk)

sqShqip