Sheshi “Skënderbeu” në Shkup sonte do të jetë nikoqir i një koncerti të muzikës klasike, në kuadër të edicionit të 14-të të festivalit “Skena e Muzikës Serioze”, përcjell TV21. Koncerti do të mbahet sonte, 19 gusht, duke filluar nga ora 20:30, ndërsa hyrja është e lirë për të gjithë qytetarët dhe vizitorët.
Festivali, i cili tradicionalisht mbështetet nga Ministria e Kulturës, këtë vit ka edhe mbështetjen e Komunës së Çairit, e cila synon të pasurojë ofertën kulturore në Sheshin “Skënderbeu” dhe në hapësirat e Çarshisë. Nga Komuna theksojnë se organizimi i ngjarjeve kulturore në ambiente të hapura synon t’i kthejë këto hapësira në vende më dinamike për kulturë, takime dhe aktivitete të përbashkëta.

