Drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana, sot informoi se sot në spital ka ndërruar jetë edhe një person tjetër i infektuar me virusin e etheve të Nilit Perëndimor, një burrë i moshës 61-vjeçare.
Ashtu si në dy rastet e mëparshme të vdekjes, bëhet fjalë për një pacient i cili ka qenë i hospitalizuar në gjendje të rëndë shëndetësore, me disa komorbiditete me rrezik të lartë, përfshirë edhe obezitetin.
Me këtë, numri i përgjithshëm i të vdekurve në RMV nga kjo sëmundje virale që transmetohet nga mushkonjat është rritur në tre persona, transmeton Lideri.mk.
Deri më tani janë konfirmuar 35 raste të personave të sëmurë, si dhe 3 raste të dyshuara për ethet e Nilit Perëndimor.
Nga personat e hospitalizuar, gjashtë janë në gjendje kritike, të gjithë mbi moshën 60-vjeçare.
Në të njëjtën kohë, Cana konfirmoi se kufiri i moshës tek të infektuarit me infeksion neuroinvaziv po zhvendoset, ku pacienti më i ri është vetëm 25 vjeç./Lideri

