U premtuan 300km, u rikonstruktuan vetëm 25km! Çfarë ndodhi me rehabilitim e rrugëve magjistrale?!
Çfarë ndodhi me premtimin për 300 kilometra rrugë në pjesën perëndimore të vendit nga të cilat vetëm 25 km janë realizuar?! Rrugët magjistrale Kërçovë-Manastir, deri në pikëkalimin kufitar Mexhitli me Greqinë, në total janë janë 300km rrugë të cilat duhej të rehabilitoheshin brenda një viti. Këtë e premtoi ish-drejtori i “Rrugëve shtetërore” Zoran Kitanov në tetor të vitit të kaluar.
“Në muajin nëntor do të tenderohen edhe rrugët nga Drugova në Demir Hisar 42 km do të rehabilitohen, më pas nga Demir Hisari në Krushevë, nga Krusheva në Krivogashtan nga Manastiri në Demir Hisar nga Manastiri në Mexhitli (kufiri me Greqinë), diku 300 km në këtë regjion do të punohen që nuk është pak”, theksoi Zoran Kitanov, ish drejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”. (07.10.2020).
Kur TV21 e pat pyetur Kitanovin se për sa kohë do të ndërtoheshin këto 300 km rrugë, ai me plot bindje pat thënë se brenda një viti të gjitha rrugët e lartpërmendura do te jenë të rehabilituara.
“-Drejtor për sa kohë do të ndërtohen këto projekte, për sa vite?! -Për një vit! -Të gjitha për një vit?! -Flas për rrugët që duhet të rehabilitohen, të gjitha kanë një vit afat”, theksoi Zoran Kitanov, ish drejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”.
Por edhe pse ka kaluar një vit nga ky premtim dhe ka kaluar afati i dhënë nga ish-drejtori Zoran Kitanov gjendja e rrugëve magjistrale ka mbetur e njëjtë, me gropa dhe të prishura në çdo 100 metra.
“Jemi në rrugën Drugovë-Demir Hisar e cila u premtua gjithashtu në tetor të vitit të kaluar se brenda një viti do të rikonstruktohet bashkë me të u premtua edhe rruga Demir Hisar–Krudhev, Krushev–Krivogashtan dhe Manastir Mexhitli, por asnjë nga këto rrugë sipas informacioneve dhe pamjeve në terren nuk është realizuar”.
Për realizimit të këtyre rrugëve TV21 kontaktoi edhe drejtorin aktual të kësaj ndërmarrjes, Ejup Rustemin, i cili thotë se këto rrugë janë në projektim e sipër dhe se do të realizohen vitin e ardhshëm.
“Deri sa te kemi komplet projekte të reviduara ne nuk mund të shpallim tenderimin në momentin që na vijnë tenderimet komplet ne do të shpallim tenderim të 4 rrugëve të cilat ju i potencuat, shpresoj se për një kohë të shkurtë do të vijnë komplet projekte të reviduara dhe të gjitha do të shpallen në tenderim për ti realizuar vitin e ardhshëm”, tha Ejup Rrustemi, drejtor i N.P. “Rrugët Shtetërore”.
Nga 300 km rrugë të rajonit Perëndimor, të cilat duhej të rehabilitoheshin brenda viti, është realizuar vetëm rikonstruktimi i rrugës Kërçovë-Makedonski Brod, që është rrugë regjionale mbi 25 kilometra e që kapi vlerën e 190 milionë denarëve./TV21