Një çerek shekulli pas nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, BDI-ja e cilëson këtë dokument si një nga kthesat më të rëndësishme në historinë bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut, duke paralajmëruar njëkohësisht se parimet e saj po përballen me përpjekje për zhbërje dhe moszbatim. Në kumtesën me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, partia thekson se marrëveshja, e nënshkruar më 13 gusht 2001 me mbështetjen e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s, vendosi themelet e një rendi të ri politik dhe institucional, të bazuar në paqe, barazi dhe pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve. “Marrëveshja e Ohrit instaloi një arkitekturë të re kushtetuese, ligjore dhe politike të shtetit, të mbështetur mbi barazinë, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, respektimin e gjuhës dhe identitetit, decentralizimin, vendimmarrjen konsensuale dhe pjesëmarrjen e të gjitha bashkësive në institucionet e vendit”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas partisë, Marrëveshja e Ohrit nuk ishte vetëm bazë për përfundimin e konfliktit dhe stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike, por edhe një nga faktorët që i mundësoi vendit të avancojë drejt objektivave të tij strategjike. BDI e lidh drejtpërdrejt zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit edhe me perspektivën evropiane të vendit. “Rruga drejt Brukselit kalon përmes Ohrit, sepse nuk mund të ketë të ardhme europiane pa barazi, demokraci funksionale, marrëdhënie të qëndrueshme ndëretnike dhe respektim të marrëveshjeve mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti i vendit”, theksohet në kumtesë.

Megjithatë, BDI shpreh shqetësim për atë që e konsideron si proces të zhbërjes së disa prej parimeve të vendosura pas vitit 2001. Sipas partisë, në këtë drejtim janë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, moszbatimi i disa dispozitave ligjore, si dhe zhvillimet lidhur me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe përdorimin e gjuhës shqipe. “Pikërisht në 25-vjetorin e saj, në vend që këto parime të konsolidohen më tej, po përballemi me një proces shqetësues të zhbërjes së tyre, njëra pas tjetrës”, akuzon BDI.

Partia përmend gjithashtu ndryshimet lidhur me emërtimet e rrugëve dhe shesheve, të cilat, sipas saj, përbëjnë pjesë të një qasjeje më të gjerë që rrezikon karakterin shumëetnik të shtetit. “Këto nuk janë raste të izoluara dhe as çështje teknike. Të marra së bashku, ato krijojnë një model të rrezikshëm të kthimit prapa”, thuhet në kumtesë.

" "

BDI paralajmëron se Marrëveshja e Ohrit nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive dhe kritikon çdo përpjekje për të relativizuar të drejtat që burojnë prej saj. “Marrëveshja e Ohrit nuk mund të pranohet në mënyrë selektive: të respektohet aty ku i përshtatet pushtetit dhe të anashkalohet aty ku garanton barazinë”, thekson partia.

Në kumtesë, BDI e paraqet veten si bartëse të procesit të shndërrimit të Marrëveshjes së Ohrit nga dokument paqeje në realitet kushtetues, ligjor dhe institucional. “Për ne, ky jubile nuk është vetëm rast për të kujtuar atë që është arritur, por moment për të ngritur zërin për atë që sot po rrezikohet. Asnjë hap prapa nga barazia, asnjë kompromis me të drejtat e fituara dhe asnjë heshtje përballë përpjekjeve për zhbërjen e tyre”, deklaron BDI. Në fund, partia u bën thirrje institucioneve, forcave politike dhe partnerëve ndërkombëtarë që të ruajnë parimet e marrëveshjes, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat e stabilitetit të vendit. “Marrëveshja e Ohrit nuk është kapitull i mbyllur i historisë. Ajo është themeli mbi të cilin qëndron stabiliteti, barazia dhe e ardhmja europiane e Maqedonisë së Veriut”, përfundon BDI në kumtesën për 25-vjetorin.

sqShqip