Edhe këtë vit, për 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, BDI po i mbledh në aheng privat kolltukofagët e vet. Të gjithë me karriera shumëvjeçare, të ndërtuara në emër të Marrëveshjes së Ohrit dhe mbi kurrizin e shqiptarëve.
Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë private e BDI-së. Ajo është rezultat i sakrificës së një gjenerate të tërë. Por ajo që nisi si akt i ndërgjegjes kombëtare, BDI-ja e zhbëri, duke e kthyer në bankomat për pasurim personal.
Aq e gjatë është lista e të korruptuarve të BDI-së që e përdorën Marrëveshjen e Ohrit për t’i mbushur xhepat, saqë edhe partneri ynë strategjik foli publikisht për “korrupsion endemik” dhe ua vuri vulën e korrupsionit pikërisht këtyre që sot rrahin gjoksin për “shqiptari”.
Sado e dhimbshme të jetë, kjo është trashëgimia e pushtetit të tyre. Sopoti, Enciklopedia, “Shkupi 2014”, “Monstra”, “Lagjja e Trimave”, përgjimet masive, Almiri i vogël, “Durmo Turs”, “Besa Trans”, “Ballkani i Hapur”, spitali modular, kazinotë dhe lojërat e fatit, arratisjet nga drejtësia, ndihma për arratisjen e Nikolla Gruevskit, shpëtimi i Sasho Mijallkovit përmes Artan Grubit dhe Enver Bexhetit, si dhe shumë hajni e manipulime tjera.
Kjo është e vërteta e tyre, të cilën nuk mund ta fshehin as me dokumentarë, as me video mesazhe e as me panele të paguara shtrenjtë.
Marrëveshja e Ohrit u përket shqiptarëve. Nuk është tapi e Ali Ahmetit, as trashëgimi familjare e kolltukofagëve të BDI-së.

