Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Kumanovës, Arben Etemi, ka reaguar ndaj akuzave politike të fundit duke publikuar të dhëna për një vendim të Qeverisë të vitit 2021, për të cilin kërkon përgjegjësi dhe sqarime publike.

Sipas Etemit, në seancën e 72-të të Qeverisë të mbajtur më 25 maj 2021, me Konkluzionin nr. 40-5794/1, ishte miratuar sigurimi i 200 mijë kartelave elektronike M-Smart për turistë nga Serbia.

Etemi thotë se secila kartelë kishte të ngarkuar 760 denarë të destinuara për pagesën e taksave rrugore në të dyja drejtimet në Korridorin 10, në relacionin Tabanoc–Bogorodicë.

Sipas tij, për këtë masë ishin paraparë gjithsej 122 milionë denarë, ndërsa periudha e zbatimit ishte nga 15 qershori deri më 15 gusht 2021.

" "

“Para se të drejtoni akuza ndaj të tjerëve, duhet të keni guximin të përballeni me vendimet e qeverisjes suaj”, deklaron Etemi.

Ai ngre disa pyetje lidhur me vendimin;

Kush e propozoi? Kush e miratoi? Kush i siguroi 122 milionë denarët? Pse u ndanë 200 mijë kartela dhe pse secila prej tyre kishte nga 760 denarë?

Etemi thekson se vendimi është marrë në një periudhë kur në Qeveri kishte edhe përfaqësues shqiptarë në pozita të larta.

“Kjo nuk është çështje emocionesh dhe as propagandë politike. Është çështje dokumentesh, vendimesh zyrtare dhe përgjegjësie institucionale”, shprehet ai.

Në përfundim, Etemi akuzon kundërshtarët politikë se po përpiqen të krijojnë “mjegull politike” duke drejtuar akuza ndaj të tjerëve, ndërsa kërkon që vendimet e së kaluarës të bëhen objekt i debatit publik.

“Mos u përpiqni t’i fshini gjurmët e vendimeve tuaja duke akuzuar të tjerët. Dokumentet nuk akuzojnë. Dokumentet dëshmojnë”, nënvizon Etemi.

sqShqip