Kryetari i Komunës së Dollnenit, Blerim Islami, ka njoftuar se ka nisur realizimi i projektit për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës Cërnilishtë–Ropotovë.
Islami ka bërë të ditur se për këtë projekt është zhvilluar bashkëpunim me drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Luli Fetai, i cili ka vizituar Komunën e Dollnenit.
“Pas një angazhimi maksimal dhe sfidave të ndryshme, së bashku me drejtorinë ‘Rrugët e Maqedonisë’ ka nisur projekti i shumëpritur për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës Cërnilishtë–Ropotovë. Fillimisht, faza e parë do të nisë në ditët në vijim”, ka deklaruar Islami.
Sipas tij, realizimi i këtij investimi pritet të përmirësojë sigurinë në komunikacion, të lehtësojë transportin dhe të forcojë lidhjen mes banorëve të kësaj zone.
Islami ka falënderuar banorët për durimin gjatë viteve të pritjes, duke e cilësuar fillimin e projektit si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e zonës.

