Fermerët shpjegojnë se rritja e çmimit lidhet edhe me rënien e ndjeshme të prodhimit. Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë situatë janë dëmet e shkaktuara nga kafshët e egra, veçanërisht derri i egër. Sipas fermerëve, vetëm pak kohë më parë derri i egër ka dëmtuar rreth 50 për qind të sipërfaqeve të mbjella me shalqi

Vjollca SADIKU

Dibër, 7 gusht – Edhe këtë verë, shalqiri i Dibrës vazhdon të jetë ndër produktet bujqësore më të kërkuara në treg. I njohur për shijen e ëmbël, freskinë dhe cilësinë e lartë, ai tërheq blerës jo vetëm nga Dibra, por edhe nga qytete të tjera. Megjithatë, këtë sezon konsumatorët po përballen me çmime dukshëm më të larta krahasuar me vitet e mëparshme, ndërsa fermerët dibranë përballen me dëme të mëdha të shkaktuara nga derri i egër.

Shalqiri është një nga frutat më të kërkuara gjatë ditëve të nxehta të verës. Për banorët e Dibrës, ai ka edhe një rëndësi të veçantë, pasi kultivimi i tij ka një traditë të gjatë në këtë zonë. Për dekada me radhë, fermerët dibranë kanë mbjellë sipërfaqe të mëdha me shalqi, veçanërisht në fshatrat kufitare, duke siguruar të ardhura nga shitja e prodhimit në tregjet lokale dhe më gjerë. Edhe sot shalqiri dibran është i pranishëm në tregun e Dibrës. Ndoshta jo në sasitë e dikurshme, kur tregu lokal furnizohej kryesisht nga prodhuesit vendas, por ai vazhdon të jetë ndër produktet më të kërkuara nga konsumatorët.

" "

Këtë verë, megjithatë, shalqiri dibran është i ëmbël në shije, por i hidhur në çmim. Në tregun e Dibrës, një kilogram shalqi vendas shitet për rreth 30 denarë, ndërsa shalqiri që vjen nga Strumica, Gjevgjelia dhe qytete të tjera të pjesës lindore të vendit kushton rreth 15 denarë për kilogram. Pavarësisht diferencës së çmimit, konsumatorët dibranë thonë se shalqiri vendas nuk mund të zëvendësohet lehtë për shkak të freskisë, shijes karakteristike dhe cilësisë së tij. Fermerët shpjegojnë se rritja e çmimit lidhet edhe me rënien e ndjeshme të prodhimit. Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë situatë janë dëmet e shkaktuara nga kafshët e egra, veçanërisht derri i egër. Sipas fermerëve, vetëm pak kohë më parë derri i egër ka dëmtuar rreth 50 për qind të sipërfaqeve të mbjella me shalqi. Një pjesë e konsiderueshme e frutave është dëmtuar dhe nuk ka mundur të plasohet në treg.

Fermeri i njohur dibran, Bedri Duka, për gazetën KOHA thotë se dëmet kanë qenë të mëdha dhe se prodhimi i tij është përgjysmuar. “Puna e një viti u dëmtua shumë nga derri i egër. Kemi siguruar edhe mjete për t’i mbrojtur të mbjellat, por as ato nuk mjaftuan. Derri i egër vazhdoi të shkaktojë dëme. Humbjet janë të mëdha dhe prodhimi është përgjysmuar”, shprehet Duka. Ai, së bashku me fermerët e tjerë dibranë, kërkon më shumë mbështetje institucionale për përballimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga kafshët e egra.

Pavarësisht vështirësive, fermerët theksojnë se cilësia e shalqirit të Dibrës mbetet e lartë. Shija karakteristike dhe ëmbëlsia e tij vazhdojnë ta bëjnë një nga produktet më të preferuara të sezonit, ndërsa kërkesa në treg mbetet e madhe. Sipas Bedri Dukës, rënia e prodhimtarisë nuk është vetëm pasojë e dëmeve nga derri i egër. Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe migrimi i popullsisë. “Ka një rënie të dukshme të prodhimit. Përveç dëmeve nga derri i egër, ndikim të madh ka edhe migrimi. Fshatrat janë zbrazur dhe sot janë shumë të paktë bujqit që merren me pemëtari dhe kopshtari. Është krejt normale që, kur prodhohet më pak, të ketë edhe rritje të çmimeve”, thotë Duka.

Ai tregon se familja e tij në të kaluarën ka prodhuar disa herë më shumë shalqi dhe pjepër, të cilat janë shitur pa probleme në tregun e Dibrës. “Kemi prodhuar disa herë më shumë shalqi dhe pjepër dhe prodhimi është shitur shumë shpejt në tregun e Dibrës. Njëkohësisht, kemi furnizuar edhe fshatrat e Zhupës dhe Rekës”, shton Duka.

Në Shoqatën e Bujqve të Dibrës thonë se kultivimi i shalqirit ka qenë tradicionalisht një aktivitet i suksesshëm për fermerët e zonës. Sipas tyre, Dibra ka kushte të favorshme klimatike dhe tokësore për kultivimin e shalqirit dhe pjeprit. Gjatë sezonit veror, kërkesa rritet edhe për shkak të numrit të madh të turistëve që vizitojnë Dibrën dhe banjat e Banjishtit e Kosovrastit. Fermerët thonë se turistët që qëndrojnë në këto lokalitete, por edhe vizitorë të tjerë, kërkojnë në tregun e Dibrës pikërisht shalqirin dhe pjeprin vendas. Kështu, shalqiri i Dibrës mbetet një simbol i verës dhe i bujqësisë së kësaj zone. Por pas shijes së ëmbël të këtij fruti fshihen sfida gjithnjë e më të mëdha për fermerët: dëmet nga kafshët e egra, rënia e numrit të bujqve për shkak të migrimit dhe ulja e sipërfaqeve të mbjella. Fermerët kërkojnë që institucionet të marrin masa më konkrete për mbrojtjen e kulturave bujqësore dhe kompensimin e dëmeve, në mënyrë që prodhimi tradicional i shalqirit dhe pjeprit në Dibër të mos mbetet vetëm një kujtim i së kaluarës. (koha.mk)

sqShqip