Akuzave të sotme të BDI-SË se Korridori 8 po anashkalohet, VLEN i është përgjigjur me një video përplot pamje që tregojnë fazat eavancuara të ndërtimit të Korridorit të lartpërmendur.
“Çka nuk dëgjojmë nga kuzhina propaganduese e BDI-së! Kumtesa jo vetëm të mbushura me trillime, por edhe me një dozë të lartë humori. Tani paskan nxjerrë edhe një matematikë të re, “4 me 1”. Shifra të mbledhura kushedi në cilën kafe të partisë.
Opozita po i gërryen keq, andaj nga dëshpërimi kanë filluar të bredhin kantier më kantier, duke numëruar bagerët për të parë se ku po punohet më shumë.
Në vend që të bëjnë zhurmë si tenxhere boshe dhe ta fusin NATO-n në propagandën e tyre, le të nxjerrin ndonjë dokument me të cilin e mbështesin trillimin “4 me 1”, reagoi VLEN.
Sipas partisë në pushtet, në Korridorin 8 po punohet aktivisht. Në segmentin Gostivar–Bukojçan punimet zhvillohen në 17 nga gjithsej 31 kilometra, ndërsa aktivitetet vazhdojnë edhe në Tetovë–Gostivar dhe në segmentet e tjera. Korridori 8 është projekt strategjik dhe do të realizohet, sqaron VLEN.
“Gënjyet sa ishit në pushtet, po shpifni edhe tani në opozitë. Reflektoni, meqë qytetarëve u jeni bërë bezdi. Nëse vazhdoni me këtë avaz, do t’ju fshijnë nga harta politik”, theksohet në reagim.

