BSH: Rastet e koronavirusit po bien kudo, përveç Europës
Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi të mërkurën se vdekjet nga koronavirusi u rritën me 10% në Europë gjatë javës së kaluar, duke e bërë atë rajonin e vetëm në botë ku rastet dhe vdekjet me Covid-19 janë në rritje të vazhdueshme.
Kjo është java e gjashtë radhazi që virusi është rritur në të gjithë kontinentin.
Në raportin e saj javor mbi pandeminë, agjencia shëndetësore e OKB-së tha se kishte rreth 3.1 milionë raste të reja në rang global, rreth 1% rritje nga një javë më parë.
Gati dy të tretat e infeksioneve të koronavirusit, 1.9 milion ishin në Europë, ku rastet u rritën me 7%.
Vendet me numrin më të lartë të rasteve të reja në mbarë botën ishin Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Turqia dhe Gjermania. Numri i vdekjeve javore nga Covid-19 ra me rreth 4% në mbarë botën, përveç Europës.
Nga 61 vendet që OBSH përfshin në rajonin e saj europian, i cili përfshin Rusinë dhe shtrihet në Azinë Qendrore, 42% raportuan një rritje të rasteve prej të paktën 10% në javën e fundit.
Në Amerikë, OBSH tha se rastet e reja javore ranë me 5% dhe vdekjet ranë me 14%, me shifrat më të larta të raportuara nga Shtetet e Bashkuara.
Në Azinë Juglindore dhe Afrikë, vdekjet nga Covid-19 ranë me rreth një të tretën, pavarësisht mungesës së vaksinave në ato rajone.
Drejtori i OBSH-së për Europën, Dr. Hans Kluge, tha javën e kaluar se Europa ishte përsëri “në epiqendrën e pandemisë”. Ai paralajmëroi se nëse nuk do të ndërmerreshin më shumë veprime për të ndaluar Covid-19, rajoni mund të shoh deri në 500 mijë vdekje të tjera deri në shkurt 2022./AP