Ish-politikani dhe analisti nga Maqedonia e Veriut, Valon Bela, ka reaguar pasi u raportua se autoritetet shqiptare e kanë shpallur person të padëshiruar dhe i kanë ndaluar hyrjen në territorin e Shqipërisë, transmeton zyrtare.net

Në reagimin e tij, Bela falënderon miqtë dhe mbështetësit për solidaritetin e treguar, ndërsa e cilëson vendimin si një akt administrativ që, sipas tij, nuk mund të zbehë kontributin e tij kombëtar.

“Një vendim administrativ nuk mund ta shpallë ‘non grata’ historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall ‘non grata’, por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare”, shkruan Bela.

Ai thekson se shqiptarët nuk janë ndarë kurrë sipas kufijve shtetërorë kur bëhet fjalë për idealet kombëtare dhe se, sipas tij, sakrifica e atyre që kanë luftuar për lirinë nuk mund të gjykohet me vendime administrative, veçanërisht në mungesë të transparencës dhe shpjegimeve publike.

" "

Në reagimin e tij, Bela kritikon ashpër edhe qeverinë shqiptare, duke deklaruar se “asnjë qeveri nuk është mbi kombin” dhe se mandatet politike janë të përkohshme, ndërsa historia mbetet.

Në fund të reagimit, ai lidh vendimin ndaj tij me qëndrimet e qeverisë shqiptare ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke përfunduar:

> “Dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet, por me veprën që ka lënë pas dhe me respektin që gëzon në mesin e popullit… Dhe mu në sinkron të plotë, Rama & Vuçiq më fusin në listën e të padëshiruarve. Kjo flet shumë!”

Reagimi i Belës vjen pasi u raportua se Ministria e Brendshme e Shqipërisë e ka shpallur atë dhe imamin Bekir Halimi persona të padëshiruar, duke u ndaluar hyrjen në territorin shqiptar. Deri tani, autoritetet shqiptare nuk kanë publikuar një sqarim zyrtar mbi arsyet konkrete të këtij vendimi./Zyrtare.net

sqShqip