Një takim i papritur në Prishtinë mes kryetarit të Lidhjes Shqiptare, Zijadin Sela dhe kryeministrit kosovar, Albin Kurti ka nxitur menjëherë paraqitjen e zërave se LSH së shpejti do të bëhet pjesë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut. Informatat e tilla janë nxitur për shkak të afërsisë së kryeministrit Kurti me qeverinë në Shkup, e veçanërisht me koalicionin VLEN.
Kishte edhe informata se LSH do të bëhet pjesë e koalicionit VLEN, duke marrë postin e kryeparlamentarit, kurse kryetari aktual Afrim Gashi dhe Alternativa e dikurshme, do të shkëputen nga VLEN duke kaluar në opozitë
Lidhur mr të gjitha këto informacione portali Lideri.mk ka siguruar qëndrim zyrtar nga qeveria e Maqedonisë.

Nga qeveria thonë se për momentin nuk ka bisedime të tilla.

“Nuk ka negociata të tilla, as propozim”, kanë deklaruar shkurt burime zyrtare nga Qeveria për portalin Lideri. mk.

Sela: Për momentin nuk ia VLEN të hyjmë në Qeveri

" "

Ndryshe edhe kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka mohuar se takimi me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka pasur për qëllim ndonjë përpjekje për përfshirjen e tij në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut përmes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së, shkruan TV21. Në një prononcim për TV21, Sela tha se takimi është zhvilluar me ftesë të Kurtit dhe se ai nuk është i interesuar për të qenë pjesë e Qeverisë.

“Për momentin nuk ia VLEN të bëhemi pjesë e Qeverisë”, deklaroi Sela, duke shtuar se partitë politike në Maqedoni duhet të “shërohen nga sëmundja e pushtetit” dhe të punojnë për qytetarët.

Sela tha gjithashtu se gjatë takimit ka folur për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, për të cilin shprehu kritika duke thënë se nuk garanton kuota etnike për shqiptarët. Ai tha se Kurtit ia ka dorëzuar edhe ligjin aktual, edhe propozimin e Lidhjes Shqiptare për krahasim./Lideri

sqShqip