Shkruan: Imerlije Salihu

Meqë po shoh se që prej dje dhe sot kam pranuar shumë mesazhe në inbox, me reagime të ndryshme lidhur me qëndrimin tim të fundit nga fjalë mbështetjeje e solidariteti, deri te kritika dhe komente kundërshtuese po e shoh të arsyeshme të ndaj me ju këtë qëndrim.

Fillimisht, ju falënderoj pafund për mbështetjen. Secili mesazh i juaji më jep forcë dhe për këtë ju jam sinqerisht mirënjohëse.

I kuptoj dhe i mirëkuptoj edhe të gjithë ata që ndajnë qëndrime të kundërta. Absolutisht nuk ndihem as e ofenduar, as e prekur. Në fund të fundit, kjo është demokracia.

" "

Nuk do t’i komentoj fare ata që kanë përdorur gjuhë seksiste, fyese, islamofobe dhe të ulët, sepse ato flasin më shumë për ata që i përdorin sesa për mua. Uroj që Zoti t’i udhëzojë!

Një sqarim shumë të shkurtër për ata që nuk më njohin mirë, unë jam e bija e një babai që gjithë jetën punoi në mërgim, për vite të tëra, i vetëm, vetëm që të na shkollonte ne, fëmijët e tij, dhe jo vetëm. Ai u kujdes me përkushtim të mbillte tek ne dashurinë për kombin dhe për fenë.

Jam pafundësisht krenare që jam shqiptare dhe myslimane. Këto janë vlera me të cilat jam rritur dhe që do t’i përfaqësoj gjithmonë me dinjitet dhe respekt, poashtu duke respektuar gjithmonë identitetin, bindjet dhe dallimet e çdo qytetari.

Si deputete, do të vazhdoj të qëndroj e fortë në parimet e mia dhe të ngre zërin për të gjithë qytetarët, e në veçanti për votuesit e mi, të cilët më kanë besuar për t’i përfaqësuar. Nuk do të hesht sa herë që do të jetë e nevojshme të mbroj vlerat e mia, edhe nëse kjo mund t’i pengojë dikujt.

Bindjet e mia nuk janë të negociueshme, ndërsa respekti për secilin mbetet parim i pandryshueshëm i imi.

*deputete e VLEN

sqShqip