Nis, 14.10.2016. -Prmijer Srbije Aleksandar Vucic i premijer Albanije Edi Rama razgovaraju na poslovnom forumu Srbija-Albanija, danas u Oficirskom domu u Nisu. (BETAPHOTO/SASA DJORDJEVIC/MO)

ARBËR ZAIMI
Nga mediat serbe mora vesh se ministri i jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriqi, paska thënë se janë marrë vesh në parim me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxhën, që të hapen dy konsullata, ajo e Shqipërisë në Bujanoc dhe ajo e Serbisë në Shkodër. Shpresoj të jetë spekulim e lajm i rremë.

Konsullata e Shqipërisë në Bujanoc ka qenë kërkesë e qëmotshme, duke ditur se më shumë se gjysma e asaj komune (bashkie) është etnikisht shqiptare. Konsullata atje do të mund të luante rol deciziv, duke ditur se ka patur dhe vazhdon të ketë synime nga Beogradi që me mjete zyrtare e jozyrtare të zvogëlohet përqindja e shqiptarëve në atë anë.

Mirëpo konsullata e Serbisë në Shkodër ngre pikëpyetje të mëdha. Së pari, në gjithë prefekturën (qarkun) e Shkodrës jetojnë vetëm 54 persona që janë vetëdeklaruar si serbë etnikë. Ndërsa 106 janë vetëdeklaruar si malazezë etnikë. Sllavë të tjerë janë 90 boshnjakë, 26 bullgarë e 20 maqedonas. Gjithsej popullsi sllavishtfolëse janë 296 persona, më pak se 0.2% e popullsisë, nga të cilët serbë vetëm 0.03%.

Hapja e konsullatës serbe në Shkodër pra nuk bazohet te nevoja për t’i shërbyer popullsisë. Ajo bazohet te këto linja gjeopolitike të Beogradit:

" "

1. Linja e cila synon të instrumentalizojë minoritetet e vogla serbe në mënyrë disproporcionale, për të krijuar leverazh gjeopolitike apo për të barazpeshuar rrejshëm me komunitete shumë më të mëdha, siç janë shqiptarët brenda Serbisë.

2. Linja e cila nga konsullata e Shkodrës do të synojë të serbizojë malazezët e Vrakës. Kjo linjë është ajo e debatit mes malazezëve e serbëve mbi ekzistencën e kombit malazez si të veçantë prej kombit serb. Një pjesë e madhe e malazezëve nuk e shohin veten si serbë, dhe fatkeqësi është që shqiptarët dy herë bëhen pjesë e kësaj çështjeje duke mbajtur anën jo të malazezëve por të serbëve, herën e parë përmes Dritan Abazoviqit që mbajti anën e Kishës Serbe kundër asaj Malazeze, herën e dytë tani – nëse shteti shqiptar lejon të sfidohet identiteti i komunitetit të vogël malazez në Vrakë nga përpjekjet serbizuese.

3. Linja e tretë është në përputhje me strategjinë përçarëse të shqiptarëve, për të cilën gjithnjë Beogradi ka shkruar e ka folur haptazi, pa konspiracion. Shihni çka ndodh: pikërisht kur zyrtarët më të lartë serbë flasin për gjenocid dhe ashpërsojnë gjuhën kundër Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës, qeveritarët e Tiranës dhe Beogradit merren vesh për bukuri? A ka strategji më përçarëse se kjo? Kosova, vazhdimisht dhe aktivisht e penguar dhe e kërcënuar nga Serbia, (gjë që tashmë është pranuar gjerësisht edhe nga opinioni politik i BE dhe SHBA), pret nga Shqipëria reagim, përkrahje diplomatike, bashkëpunim ekonomik e ushtarak, por në vend të këtyre has vazhdimisht në një bashkërendim e bashkëpunim të pashpjegueshëm dhe fort të dyshimtë mes Tiranës dhe Beogradit, një përpjekje të së parës për të normalizuar këtë të dytën pavarësisht monstruozitetit historik e aktual të saj.

Shumica e qytetarëve të Shqipërisë nuk e duan dhe nuk e vlerësojnë këtë bashkëpunim me regjimin autoritar të neomillosheviqëve, që nuk është as në linjë me aspiratat kombëtare, as në linjë me vlerat evropiane e as me të drejtat njerëzore dhe demokratike.

sqShqip