Shqipëria ka shënuar një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të sigurisë kibernetike. Esmeralda Kazia është shpallur “Cybersecurity Woman of the World 2026”, duke u bërë shqiptarja e parë që fiton këtë titull prestigjioz, i cili vlerëson lidershipin, vizionin dhe kontributin në avancimin e sigurisë kibernetike në nivel global.

Çmimi iu dorëzua gjatë ceremonisë së organizuar nga United Cybersecurity Alliance në Austri dhe Lihtenshtejn, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, universiteteve, kompanive lider dhe ekspertë të sigurisë kibernetike nga më shumë se 30 vende.

Pas marrjes së çmimit, Kazia dha një intervistë për transmetuesin publik austriak ORF, ku theksoi rëndësinë e sigurisë kibernetike për mbrojtjen e institucioneve dhe besimit publik.

“Cybersecurity is not about protecting technology. It is about protecting trust,” u shpreh ajo.

" "

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm i këtij edicioni ishte nisja e diskutimeve për organizimin e ceremonisë “Cybersecurity Woman of the World 2027” në Shqipëri. Nëse ky projekt realizohet, vendi do të mirëpresë drejtues institucionesh, përfaqësues qeverish, organizatash ndërkombëtare, universiteteve, industrisë dhe ekspertë të njohur të sigurisë kibernetike nga e gjithë bota.

– Advertisement – m2

Duke komentuar këtë vlerësim, Esmeralda Kazia tha se çmimi përfaqëson një përgjegjësi të madhe për të vazhduar punën në forcimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike.

“Ky titull është një nder që e tejkalon dimensionin personal. Ai është një përgjegjësi për të vazhduar të kontribuoj me edhe më shumë përkushtim në forcimin e sigurisë kibernetike, mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe ndërtimin e një të ardhmeje digjitale më të sigurt. Do të ishte një privilegj i jashtëzakonshëm që vitin e ardhshëm ta mirëprisnim këtë komunitet global në Shqipëri dhe t’i tregonim botës potencialin, profesionalizmin dhe mikpritjen e vendit tonë”, u shpreh ajo.

Ky vlerësim konsiderohet një sukses jo vetëm personal, por edhe një dëshmi se ekspertiza shqiptare në fushën e sigurisë kibernetike po fiton njohje dhe besim në nivel ndërkombëtar.

Esmeralda Kazia aktualisht mban detyrën e Drejtoreshës Ekzekutive të Teknologjisë (CTO) për Teknologjinë Operacionale (OT), Sistemet e Kontrollit Industrial (ICS) dhe Automatizimin në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Më parë ajo ka drejtuar operacionet kombëtare të monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve kibernetike në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, duke luajtur një rol kyç në forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike pas sulmeve kibernetike të vitit 2022.

Me mbi 13 vite përvojë në sigurinë kibernetike, transformimin digjital dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike, Kazia ka përfaqësuar Shqipërinë në forume të nivelit të lartë si NATO, White House Counter Ransomware Initiative, RSA Conference, OSBE, Hybrid CoE dhe ITU. Ajo është gjithashtu pedagoge universitare, kërkuese shkencore dhe në përfundim të studimeve të doktoratës, me fokus në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe ekosistemet digjitale. /Albinfo.ch

ALBANIAN EDUCATION

Albanian Education is an independent online publication focused on education, learning resources, schools, scholarships, study advice, and digital skills. All materials are published for informational and educational purposes.

Contact: info@albanianeducation.net

About Contact Privacy Policy Terms of Use Editorial Policy Cookie Policy

Kjo faqe përdor “cookies” për t’ju dhënë përvojën më të mirë në faqen tonë. Duke vazhduar të përdorni faqen tonë të internetit pa ndryshuar cilësimet, ju jeni dakord për përdorimin e tyre. Për më shumë informata ju lutem

sqShqip